Të shtunën që shkoi u mbajt protesta në sheshin “Skënderbe”. Veteranët e shoqëria civile mbushën hapësirat e kryeqytetit me qëllim siç u tha të kundërshtimit të “koordinimit të qeverisë më Milan Radojiçiç-in” dhe mos ngritjen e pensioneve për veteranët baras me ngritjen e pagës minimale, e cila u bë 264 euro.
Tubimit iu bashkuan edhe anëtarë të kryesisë së PSD-së. Noli Nushi, sekretar organizativ në këtë parti, tha se kategoritë e dala nga lufta po fyhen nga Qeveria Kurti.
“Kjo po bëhet përmes deklaratave siç ishin ato të Mimoza Kusarit dhe Ministrit Sveçla dhe qe nuk po ju mundësohet jetesa përmes një page minimale dhe ndërlidhjes së saj me pensione”.
Sipas tij, vetë Kurti duhet të heq dorë nga karta e veteranit të rrejshëm. Fryrja e listave ishte arsyeja kryesore pse Qeveria nuk i ngriti pensionet e veteranëve në nivelin e njëjtë me pagën minimale.
“Sot është krijuar sinonimi që kur përmendet fjala veteran, është bë ofendim sepse po lidhet me mbiemrin i rrejshëm, sipas këtij narracioni vetë z.Kurti është veteranë i rrejshëm. Albin Kurti ka faj për mirëmbajtjen e këtij narracioni, këtij ofendimi që u bëhet veteranëve. Me siguri ka fryrje, po nuk është kjo pjesa ku ai duhet me vënë drejtësi. Me qenë i hairit jep dorëheqje vetë prej veteranit sepse Kurti ka kartë veterani që nuk i takon. I pari është që ka kartelë të rrejshme”, tha ai.