Analisti Agron Hoti, u shpreh se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me refuzimin për të marrë pjesë në takimin e sotëm në Tiranë, praktikisht e refuzon kështu Procesin e Berlinit.
Sipas tij, shqiptarët duhet të jenë të gëzuar që Shqipëria po kthehet në një qendër në Rajon sa i përket procesit të integrimit evropian në tërësi.
“Lajmi më i mirë për Shqipërinë është se ajo po kthehet në një qendër në Rajon sa i përket procesit të integrimit evropian në tërësi dhe kjo duhet t’i gëzojë shqiptarët. Ndërkohë mospjesëmarrja e Kosovës në këtë takim, është për keq ardhje dhe kjo nuk mund të shihet ndryshe, përpos një refuzim i Procesit të Berlinit, sepse pa marrë parasysh se ku mbahen takimet, Kosova ka qenë pjesë integrale. Kjo është për të ardhur keq”, tha Hoti për abcnews.al, transmeton Paparaci.
Ai shtoi se Kurti është duke kundërshtuar tri procese të integrimit, i pari ishte Ballkani i Hapur, i dyti është Procesi i Berlinit dhe i treti procesi i stabilizim – asociimit.
“Tri procese është duke kundërshtuar Kurti, i pari ishte Ballkani i Hapur, që ishte nismë amerikane dhe është absurde që ta quaje në atë kohë Open Ballkan iniciativë ruse, kur Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi ishin anëtare të NATO dhe mundoheshin t’i jepnin një shtysë zhvillimit rajonal të mbetur prapa”.
“Procesi i dytë është ai i Berlinit dhe procesi i tretë kur Kurti është duke refuzuar integrimin rajonal është procesi stabilizim – asociimit që që është procesi zyrtar i Bashkimit Evropian me vendet e Rajonit dhe në këtë pikë Kosova doli si refuzuese e integrimit rajonal nga kurthi i Vuçiç që bëri në veri. Nga ai kurth i Vuçiç, Kosova është futur sot nën izolim”, theksoi ai.