13.6 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

KMDLNj për seancën e dhunshme: Bislimi si mysafir s’kishte të drejtë ta griste foton e opozitës

Në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, më 13 korrik, kritikat pas publikimit të disa audio-incizimeve ku ishte përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, rritën tensionet që kulmuan me përleshje fizike.

Për udhëheqjen e kësaj seance ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), i cili thotë se udhëheqja e saj ishte në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit, çka edhe çoi në dhunë.

Në reagimin dërguar mediave, KMDLNj thotë se Kuvendi i Kosovës është vend pune i deputetëve të zgjedhur nga vota e popullit që janë të mandatuar t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve (votuesve), pa dallime partiake dhe të tjera, ndërsa të gjithë të tjerët, kryeministri, presidentja, ministrat, zëvendësministrat “konsiderohen mysafirë dhe duhet t’i nënshtrohen rregullave që janë të përcaktuara nga Kuvendi e që nuk ndodhi në seancën e fundit”.

Ndër të tjera, ky këshill thotë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka pasur të drejtë ta grisë foton e vendosur nga opozita, ku paraqitej kryeministri Albin Kurti me hundë të gjatë.

“Besnik Bislimi nuk ka pasur asnjë të drejtë ta grisë një foto që e vendosi opozita, pavarësisht përmbajtjes. Këtë të drejtë e kanë pasur deputetët e pozitës sikur edhe çdo deputet në Kuvendin e Kosovës”, deklaron KMDLNj.

Shkelje tjetër, sipas këtij këshilli, “ishte kur po ky zv.kryministër e gjuan me shishe uji deputetin Lushtaku”.

“Në këtë situatë, kryetari i Kuvendit, po të kishte pasur profesionalizëm dhe guxim, do ta largonte nga seanca Besnik Bislimin sepse, si mysafir, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit ndërmori veprime që nuk i takojnë sikur që sulmoi deputetin Lushtaku”, tha KMDLNj.

Këshilli thotë se është i sigurt se, nëse kryetari i Kuvendit do ta largonte nga seanca zv.kryeministrin Bislimi, situata do të qetësohej dhe seanca do të zhvillohej në rrethana krejtësisht tjera.

Ndërkaq, KMDLNj-ja, si shkeljen më të rëndë që e bëri kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, e konsideron thirrjen drejtuar policisë së Kosovës të intervenojnë sa ishte duke u zhvilluar seanca.

Në reagim thuhet se “kryetari i Kuvendit fillimisht është dashur ta ndërpresë seancën e pastaj ta thërrasë Policinë e Kosovës që të ndërhyjë në qetësimin e seancës”.

KMDLNj thotë se në historinë parlamentare të Kosovës asnjëherë nuk ka pasur ndonjë rast që kryetarët e Kuvendit apo drejtuesit e seancave ta thërrasin Policinë apo sigurimin e Kuvendit “ndonëse incidentet ishin shumë më të rënda me ç’rast rrezikohej edhe shëndeti i deputetëve siç ishte hedhja e gazit lotsjellës dhe mjeteve të forta pjesë e së cilës, qoftë si pjesëmarrës aktiv apo edhe si dëshmitar ishte edhe kryetari i tashëm i Kuvendit të Kosovës”.

KMDLNj vlerëson se nuk ka asnjë bazë ligjore që të ndiqen penalisht asnjëri që shkaktoi incidente në këtë seancë – as nga ana e qeverisë e as nga ana e deputetëve.

Ndërkaq, për KMDLNj rrezik real paraqet gjuha e urrejtjes, fyerjeve në baza personale dhe familjare “e që nuk duhet të trajtohen në seancat e Kuvendit të Kosovës sikur që, edhe nëse ndodhin, kryetari i Kuvendit, si autoritet suprem apo drejtuesi i seancës duhet të ndërmarrin masa të menjëhershme duke i larguar nga seanca dhe duke i përjashtuar nga seancat tjera, në përputhje me peshën e përgjegjësisë, pavarësisht përkatësisë partiake dhe të tjera”.

Ndër të tjera, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kërkon nga drejtuesit e partive politike që t’i disiplinojnë anëtarët e tyre dhe, nëse ata veprojnë ndryshe, “pikërisht partitë politike duhet të ndërmarrin masa kundër atyre që ndikojnë në keqpunën e Kuvendit të Kosovës”.

KMDLNj thotë në fund se deputetët e Kuvendit të Kosovës, përmes grupeve parlamentare duhet ta arrijnë një marrëveshje që do të siguronte mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të Kosovës, apo, me marrëveshje, “nëse vlerësojnë se nuk ka mundësi tjetër, të merren vesh për shpërndarjen e kësaj legjislature”.

“Kosovën e presin shumë sfida që do ta përcaktojnë të ardhmen edhe si shtet për t’i lejuar vetes (deputetët) që të merren me gjëra krejtësisht të parëndësishme. Duhet të kuptohet se të drejtat dhe përgjegjësitë janë të ndara si për Presidenten, Kryeministrin ashtu edhe për Kuvendin e Kosovës dhe të gjithë duhet të sillen brenda përgjegjësive të përcaktuara. Në fund të fundit, nuk është qeveria ajo që e mbikëqyrë punën e Kuvendit por Kuvendi e mbikëqyrë punën e qeverisë”, potencoi KMDLNj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img