Nemanja Vllaskoviq, i arrestuar nën dyshimet për sulme ndaj gazetarëve në veri të vendit, është liruar sot nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Zëdhënësja e Gjykatës në Mitrovicë, Lumnije Surdulli, ka thënë se Vllaskoviqi u lirua pasi ka paguar dorëzaninë.
Për arrestimin e tij pati njoftuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, më 16 qershor. Sveçla pati premtuar ballafaqim me drejtësinë për Vllaskoviqin.
Vllaskoviqit, dy ditë pas arrestimit, iu caktua edhe masa e paraburgimit prej një muaji.
Në veri të Kosovës gjithsej janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve gjatë situatës së tensionuar në veri nga fundi i majit e deri në mesin e qershorit.