Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar për kalimin e ligjit për pagën minimale, duke thënë se ai nuk sjell përfitime për qytetarët, por përkundrazi ka shkaktuar diskriminim meqë janë lënë anash veteranët e UÇK-së, shkruan Express.
Pacolli ka shkruar se politikat ekonomike dhe sociale në vend nuk po bëhen për të zgjidhur problemet, por për t’i thelluar to edhe më shumë.
Ai ka përmendur edhe humbjen që ka pësuar Trusti si pasojë e investimeve të gabuara pa mekanizma kontrolli, derisa pozita kundërshtoi tërheqjen nga qytetarët.
Reagimi i plotë:
Miratimi i djeshëm i ligjit për pagën minimale nga Kuvendi nuk u sjell përfitime qytetarëve të Kosovës, përkundrazi ka bërë një diskriminim të paparë ku janë lënë anash veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Politikat ekonomike dhe sociale në vend nuk po bëhen për zgjidhjen e problemeve, por për t’i thelluar edhe më shumë ato. Në kohën kur Trusti përjetoi humbje të mëdha në tregje, duke bërë investime të gabuara pa mekanizma kontrolli, mazhoranca refuzoi me kokëfortësi të lejonte qytetarët të tërhiqnin para nga Trusti, kështu që qytetarët humbën edhe kursimet e tyre.
Politikat pa ndjeshmëri nga qeveria për qytetarët nuk po ndalen.