-2.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Remi në Speciale, flet për takimet me Shtabin e Përgjithshëm dhe marrëveshjen e Rambujesë

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, po intervistohet nga mbrojtja e Hashim Thaçit, në ditën e katërt të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale.

Funksionimi i UÇK-së në atë zonë, takimet me Shtabin e Përgjithshëm si dhe marrëveshja e Rambujesë ishin çështjet për të cilat avokati Luka Misetiq shtroi pyetje për dëshmitarin në pjesën e parë të seancës.

Ish-komandant Remi konfirmoi se nuk kishte pranuar asnjë plan paqeje në të cilin nuk përfshihej e drejta e Kosovës për të kërkuar pavarësinë.

Ai tha se fillimisht nuk kanë pasur besim në delegacionin e Rambujesë por më vonë sipas tij të gjithë komandantët e zonave kishin dhënë pëlqimin për nënshkrimin e marrëveshjes.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të bëhej pa miratimin e komandantëve të zonave.

Ai theksoi se kanë bërë presion mbi delegacionin që fillimisht të merrej vesh me ta dhe pastaj të vazhdonte takimet.

Ish-komandant Remi theksoi se ka qenë në dijeni që delegacioni përfshinte Thaçin, Krasniqin, Sylën, Halitin e Bujën, krahas ish-presidentit Rugova.

Mbrojtja ka shfaqur një intervistë që Rrustem Mustafa e kishte dhënë për BBC-në në të cilën tregonte për bisedat që kishte pasur me delegacionin.

E njëjta u dorëzua si provë materiale.

“Gjatë kohës sa po zhvillohej Ramubuja ne kishim informata që aty po duan me nënshkru një marrëveshje e cila neve nuk na konvenonte. Unë e kam marr telefonin i kam telefonuar dhe kam bërë kërcënim, nuk guxoni me nënshkrua dhe më kujtohet si sot kur njëri preh tyre i kam thënë e dini se kemi raketa kundër ajrit dhe do ti ruajmë dhe nuk do t’i përdorim për serbë por për aeroplanin e juaj pa zbritur në Sllatinë dhe do ta rrëzojmë nëse e nënshkruani. Normalisht ata kanë punuar ashtu, kanë ardhur [për me u konsultua me ne”, u citua intervista e ish-komandant Remit.

Ish-komandant Remi tha se për pranimin e marrëveshjes së Rambujesë ishin bindur nga Hashim Thaçi.

“Zoti Hashim Thaçi tanimë ishte shef i delegacionet të Rambujesë dhe ka bërë gjithçka me na bind. Nuk mund kthehem prapë dhe të di krejt çka, por e di që ka arritur me na bind një nga një. E kemi ditur se jemi takuar me njerëzit me të fuqishëm të globit, kemi pasur siguri se ai po kontakton me njerëz të rëndësishëm dhe nuk kemi mundur me i ikë besimit që na ka jep në atë kohë. Unë kam qenë skeptik derisa ka filluar bombardimi i NATO-s, mirëpo jam pajtuar”, tha ai.

Gjatë kësaj dëshmie, ai u pyet për vendin se ku ndodhej Zona Operative e Llapit derisa pohoi se ka pasur njësite të MUP-it serb në atë zonë.

Ai gjithashtu pohoi se njësitet paramilitare të Arkanit kanë qenë të vendosur në Hotel Grand në Prishtinë.

Rrustem Mustafa tha se Serbia e përdorte Merdaren si rrugë kryesore për furnizim, ndërsa sa i përket transportit përmes trenit e kishte linjën hekurudhore Prishtinë-Leskovac.

Ai tha se aparati i shtetit serb me gjithë kapacitetit të tij ka qenë i angazhuar në luftën kundër popullatës civile shqiptare dhe UÇK-së.

Sipas tij, ishte në dijeni që Serbia ka qenë e përfshirë në përpjekje propagandistike për të etiketuar UÇK-në si terroriste.

Avokati Misetiq: A pajtoheni me mua që lufta e UÇK-së ishte më shumë propagandistike sesa operative?

Mustafa: Pajtoj.

Avokati Misetiq: Forcat e armikut kishin mundësi të futshin në çdo pjesë të zonës suaj kudo që ata dëshironin, a është e saktë kjo?

Mustafa: Po, e saktë.

Avokati Misetiq: Kjo vija që keni bërë në këtë hartë nuk është vijë mbrojtjeje, kështu, sepse forcat serbe mund të futeshin përmes kësaj vije në çdo moment që të vendosnin ata?

Mustafa: Vijë mbrojtëse por jo e pathyeshme nga ana e armikut, ata kanë hyrë kudo që kanë tentuar, ne nuk kemi mundur ta pengojmë.

Mbrojtja e Thaçit e pyeti atë nëse kishte marrë ndonjëherë urdhër nga Azem Syla, për çka ish-komandant Remi tha se nuk ka pasur të tillë, as me shkrim e as me gojë derisa theksoi se “Ne as që e kemi ditë që është në pozicion të rëndësishëm Azem Syla, deri në kohën e Rambujesë”.

Ai gjithashtu tha se në shkurt të vitit 1999 komandantët e zonave emëruan Sylejman Selimin komandant të UÇK-së.

Ai është pajtuar me avokatin e Thaçit kur i njëjti tha se ana politike e UÇK-së nuk është përgjegjëse për aspektin ushtarak.

Avokati Misetiq: Juve nuk ju pëlqeu ajo çfarë gjetët në shtabin e përgjithshëm, kur shkuat në shtabin e përgjithshëm, kështu. A mund t’i tregoni trupit gjykues se cilat ishin aspektet të Shtabit të Përgjithshëm që nuk ju pëlqyen aso kohe?

Mustafa: Nuk kishte resurse, nuk e dëgjonte askush askënd, dhe nuk kishe ku të drejtoheshe për gjërat më elementare, unë nuk mund ta bëja punën time me ambientin që e gjeta aty dhe nuk doja të vazhdoja të rri në male pa bërë asgjë.

Avokati Misetiq: Mua më kanë thënë që ju jeni punëtor i madh, është e vërtetë kjo

Mustafa: Sidomos gjatë luftës, sa kam qenë ushtar jam mundur t’i bëjë punët siç duhet, kam qenë i rregullt.

Avokati Misetiq: A do të ishte e drejt të thuhet se ajo çfarë gjetët kur shkuat në shtabin e përgjithshëm ishit shumë herë me e çorganizuar krahasimisht me atë çfarë kishit bërë në zonën operative të Llapit.

Kjo është dita e katërt e ish-komandant Remit në gjykatoren e Hagës, ndërsa pritet që dëshmia e tij të zgjasë edhe në ditët e javës së ardhshme.

Ai është betuar si dëshmitar të martën para turpit gjykues në Hagë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit.

Të akuzuarit po marrin pjesë fizikisht në sallën e gjyqit për ta dëgjuar këtë dëshmi.

Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img