Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka falenderuar të gjithë deputetët e kuvendit që kanë votuar për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ky pritet që të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999.
Kurti përmes një postimi tha dëmet edhe vujatjet e shkaktuara nuk janë statistika, por duhen edhe statistika për ta kuptuar përmasën e padrejtësisë, përcjell IndeksOnline.
Postimi i plotë:
Falënderoj secilën e secilin deputet që me votën e tyre po e jetësojmë Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999.
Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur tamam. As 24 vite pas, nuk kemi shifra që do të mund të na tregonin dëmet nga lufta në vendin tonë.
Dëmet e shkaktuara dhe vuajtjet e përjetuara nuk janë statistika, por duhen edhe statistikat për ta kuptuar përmasën e padrejtësisë. Për të pasur një hartë të detajuar mbi të gjitha krimet e luftës se ku, çka, si dhe ndaj kujt u ushtruan ato krime në luftën e fundit. Për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila do të na shërbejë edhe neve edhe brezave pas nesh.
Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.
Republika e Kosovës nuk mund të harrojë.