Paris Saint-Germaini duket se do të jetë mjaft aktiv në afatin kalimtar të verës.
Parisienët janë në kërkim të një qendërsulmuesi, raporton mediumi francez “RMC Sport”, përcjell “Gazeta Express”.
Objektivi kryesor i kampionit të Ligue 1 duket se është bërë Harry Kane i Tottenhamit.
Sulmuesi anglez në javët e fundit lidhet me një kalim të mundshëm në Bayern Munich, por deri tash nuk ka pasur asgjë konkrete.
Ndërkohë, drejtuesit e PSG-së pritet ta kenë një takim me përfaqësuesit e Kanet gjatë kësaj jave.
Edhe në javët e kaluar, ka pasur kontakte por parisienët nuk kanë arritur ta bindin lojtarin anglez të përfundojë në kryeqytetin francez.
Kane e ka në tavolinë një ofertë prej 12 milionë eurosh neto në sezon nga ana e Bayernit.
Por, “Spurs” e kanë kthyer dy herë mbrapshtë gjigantin bavarez, i cili është i gatshëm t’i ofrojë deri në 80 milionë euro për të.
Tottenhami i kërkon 100 milionë dhe këtë shumë është i gatshëm ta paguajë kampioni francez.