Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas përleshjeve fizike që ndodhen sot në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet zyrtarëve të PDK-së dhe atyre të LVV-së.
Sipas tij, pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës. Ai shtoi se ato nuk e kanë pasur asnjëherë – as në të shkuarën – as tani.
Prandaj ,ai tha se sot ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës.
“Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përpalsjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot”, shkroi ai në Facebook.
“Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj. LDK do të vazhdojë, si gjithherë, të mbrojë dhe ushtrojë vlerat bazike demokratike e shtetare në çdo sjellje të saj, brenda sallës së Kuvendit të Republikës dhe jashta saj”.