-1.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Arsyetimi i Supremes për lirimin nga akuza të serbit që e quajti “trillim” masakrën e Reçakut

Gjykata Supreme e ka liruar nga akuzat ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili ishte i akuzuar për nxitje të urrejtjes për një deklaratë të dhënë në vitin 2019, kur e kishte quajtur “trillim” masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999.

Vendimi është marrë nga kolegji i përbërë nga Valdete Daka, kryetare, Agim Maliqi dhe Afrim Shala, anëtarë,

Supremja ka konsideruar se kërkesa e paraqitur për mbrojtje të ligjshmërisë nga avokati i Todosijeviqit është e bazuar.

Kurse Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes shkresës së datës 25 prill të këtij viti kishte propozuar të refuzohej kjo kërkesë.

Në dosjen e Gjykatës, të siguruar nga KALLXO.com, përshkruhet se aktgjykimet e nxjerra nga Themelorja dhe Apeli, të cilat e kishin dënuar ish-ministrin, kishin qenë në kundërshtim me ligjin penal.

Sipas Gjykatës Supreme, elementet e kërkuara sipas dispozitës së nenit 147 të Kodit Penal në rastin konkret nuk janë përmbushur  në mënyrë kumulative.

Cilat janë këto elemente që do duhej të përmbusheshin?

Prishja e rendit publik, nxitja e përçarjes ose mosdurimit, përhapja publike e urrejtjes… Gjykata Supreme ka gjetur se nuk kishin ndodhur kur Todosijeviq e kishte mohuar masakrën e Reçakut.

Sipas aktgjykimit të nxjerrë nga kjo Gjykatë më 3 korrik të këtij viti, deklarata e mëposhtme shpreh vetëm opinione të pasakta dhe jo fakte.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare, Reçaku u shpik në Kosovë e Metohi dhe ishin ata terroristët shqiptar që shpikën të gjitha këto, kryen krimet më të mëdha në Kosovë dhe Metohi për të cilat askush deri më sot nuk ka marrë përgjegjësi. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe polic në vendin e tyre të punës, vazhduan festën e përgjakshme gjatë agresionit dhe pas ardhjes së të ashtuquajturit mision paqësor në Kosovë e Metohi” – kishte deklaruar Ivan Todosijeviq më 24 mars të vitit 2019 në një tubim të mbajtur në Zveçan, i cili kishte të bënte me intervenimet e NATO-s në Kosovë më 1999.

Sipas avokatit mbrojtës, kjo deklaratë ishte dhënë para 10-15 pensionistëve, dhe nuk përmbante thirrje për hakmarrje, as dhunë ndaj askujt, as konkrete, as abstrakte, por deklarimet  e tij “i referohen një ngjarjeje nga e kaluara dhe nuk ka të bëjë me veprime që duhet të ndërmerren ndaj askujt dhe atë 20 vjet më vonë” – përshkruhet në dosjen e Gjykatës.

Tutje, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, sipas Supremes nuk e kishin qartësuar dhe analizuar sa duhet kufirin mes shprehjes së lirë të opinionit (në këtë rast nga ana e të pandehurit ) dhe inkriminimit ligjor të veprës penale.

Në këtë rast Supremja thotë do të ishte i domosdoshëm referimi në disa vendime të GJEDNJ.

Në fund të aktgjykimit të saj lirues, Supremja shpreh shqetësim për standardin minimal të aplikuar nga ana e Prokurorisë së Shtetit pastaj edhe nga ana e dy instancave më të ulëta gjyqësore, pa një analizë të mirëfilltë dhe gjithpërfshirëse të provave që ishin në shkresat e lëndës.

Sipas Prokurorisë, Todosijeviq në cilësi të ministrit, me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës, nga e cila akuzë Todosijeviq lirohet, duke e ndryshuar kështu aktgjykimin e datës 19.10.2022 të Gjykatës Themelore, dhe atë të Apelit të datës 20.02.2023.

Lidhur me këtë deklaratë, kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img