Samiti i NATO-s në Vilnius përfundoi sot me mbështetje të fortë për Ukrainën, pasi aleatët ranë dakord për një paketë trepjesëshe “për ta sjellë Ukrainën më afër aleancës”, ndërsa vendet e G7-tës nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi garancitë e sigurisë të Kievit.
Në fjalën e tij përmbyllëse, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleatët sapo përfunduan një samit “historik” në Lituani me marrëveshje mbi “planet më të detajuara dhe më të fuqishme të mbrojtjes që nga Lufta e Ftohtë”.
Duke nënvizuar se riafirmuan gjithashtu për ta sjellë Ukrainën më afër aleancës dhe për të rritur mbështetjen për një kohë të gjatë, Stoltenberg tha se NATO dhe Ukraina do të takohen në Këshillin NATO-Ukrainë për të diskutuar çështjet si partnerë të barabartë tani e tutje.
“Unë mirëpres gjithashtu njoftimet e reja të mëdha të mbështetjes ushtarake të bëra nga aleatët e NATO-s në këtë samit”, tha ai.
Duke kujtuar ndihmën ushtarake të ofruar nga aleatët me vlerë dhjetëra miliarda dollarë dhe trajnimin e dhjetëra mijëra trupave ukrainase nga aleatët, ai tha se “ndërsa Ukraina vazhdon të çlirojë territorin, ne do të qëndrojmë pranë tyre për aq kohë sa të duhet”.
Ai përmendi gjithashtu paketën e re shumëvjeçare të ndihmës për Ukrainën, e cila u miratua të martën, për të ndihmuar në kalimin e Ukrainës nga standardet e epokës sovjetike në ato të NATO-s dhe për t’i bërë forcat e saj plotësisht të ndërveprueshme me NATO-n.
“Ukraina është tani më afër NATO-s se kurrë më parë”, tha Stoltenberg, duke iu referuar heqjes së kërkesës për një plan veprimi anëtarësimi për Ukrainën.
“Ne do të lëshojmë një ftesë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n kur aleatët të bien dakord që kushtet janë përmbushur”, përsëriti ai. “Kjo dërgon një mesazh të qartë, të fortë dhe të bashkuar nga samiti ynë i Vilniusit”, shtoi shefi i NATO-s.
Lidhur me takimin e tij me partnerët e Indo-Paqësorit, Stoltenberg tha se “vetëbesimi global i Pekinit dhe lufta e Moskës kundër Ukrainës kërkojnë një koordinim edhe më të ngushtë midis NATO-s, BE-së dhe partnerëve tanë të Indo-Paqësorit”.
NATO po përballet me situatën “më serioze” të sigurisë në dekada, por aleatët po i bëjnë ballë sfidës, tha ai dhe shtoi se “NATO është më e bashkuar se kurrë, duke qëndruar e fortë në mbrojtje të popullit tonë dhe vlerave tona”.
Ai falënderoi gjithashtu presidentin lituan Gitanas Nauseda dhe qeverinë e vendit për pritjen e samitit historik. /Abc news