2.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Presidentja e KE-së u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë planin e BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë udhërrëfyesin për shtensionimin e situatës veri të Kosovës.

“Ekziston një plan shumë i qartë dhe i përkushtuar për de-përshkallëzimin, një udhërrëfyes për të cilin të dyja palët punuan në fillim të këtij viti. Kjo është absolutisht jetike për të ecur përpara në një mënyrë paqësore. Dhe është e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë që u ra dakord”, tha von der Leyen para fillimit të ditës së dytë të Samitit të NATO-s në Lituani.

Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Dakordimi u arrit në një takim joformal në Bratislavë ndërmjet përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbis, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Qeveria e Kosovës tha se të gjitha hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

Hapi Veprimi Koha
1 Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Java e parë
2 Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Nga java e parë, në vazhdimësi
3 Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4 BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës

Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, REL merr vesh se ai do të mbahet javën e ardhshme.

Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, Kosova ka kërkuar vazhdimisht që të nisë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në Bruksel më 27 shkurt. Palët, më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img