Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është futur në listën e sanksioneve amerikane.
Kështu bëri të ditur Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit.
Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
“Këto marrëveshje korruptive lehtësuan aktivitetin malinj rus në Serbi dhe rajon”, u tha në njoftim.
Ndërsa njohësi i qështjeve të sigurisë dhe ish Inspektori i Përgjithshëm në AKI, Burim Ramadani ka thënë se sanskionimi i Aleksandar Vulinit është lajm i mrekullueshëm nga SHBA.
“Ai, ndër të tjera, u sanksionua nga SHBA për shkak të korrupsionit, krimit të organizimit, trafikimit të paligjshëm të armëve, mbështetjes së vazhdueshme të Rusisë dhe rrezikimit të sigurisë në Ballkan. Vulin, sikurse e kam përshkruar në disa video gjatë ciklit të videove argumentuese, është një prej kërcënuesve kryesor të sigurisë në rajonin tonë dhe një nga individët më pro-rus në Ballkan”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, radhën për sanksionim duhet ta ketë Aleksandar Vuciq nga Serbia.