Futbolli i Kosovës shënon një tjetër arritje në sektorin e ndarjes së drejtësisë. Është gjyqtari Genc Nuza, i cili është përfshirë nga UEFA në programin “Mentor&Talent” për edicionin 2023/2024.
Njëri nga gjyqtarët më të dalluar në vitet e fundit në Kosovë, i cili me sukses ka ndarë drejtësinë edhe në ndeshjet ndërkombëtare, ka hyrë në programin e 20 gjyqtarëve më premtues të UEFA-së. Ai do ta ketë mentor ish-gjyqtarin e njohur të FIFA-s, belgun Frank De Bleeckere. Ky program do të fillojë më 29 gusht. Nuza është shprehur i nderuar për përfshirjen në këtë program, e veçmas për faktin se për mentor do ta ketë një ish-gjyqtar me renome botërore.
“Jam tejet i lumtur që jam i zgjedhur nga UEFA si gjyqtar premtues për të ardhmen dhe që do ta kem një mentor siç është Franck De Bleeckere, i cili ka qenë gjyqtar në Kampionate botërore e evropiane. Shpresoj ta ngriti nivelin e referimit tim edhe më shumë gjatë këtij programi me ndihmën e mentorit tim”, ka thënë Nuza, i cili ndodhet në Maltë, ku po ndan drejtësinë në Kampionatin Evropian për grupmoshën U19.