Audio-inçizimi që doli dje për bisedën e saj me përfaqësues të Listës Serbe, Mimoza Kusari thotë t’i ketë diskutuar me Kryeministrin Kurti para disa muajve, kur ato kanë nisur të përmenden. Çfarë i tha Kurti Kusarit në prill dhe a ia kërkoi dorëheqjen?
Mbrëmjen e së hënës, Mimoza Kusari, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është rrëfyer për bisedat e saj me përfaqësuesit e Listës Serbe. Kjo ndodhi pasi u publikuan disa audio inçizime të bisedës mes saj dhe nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq.
Por, siç tregon Kusari, çështja e këtyre bisedave që ajo thotë se ndodhën në qershorin e vitit të kaluar me Simiqin, kanë nisur të përmendeshin në prill të këtij viti. Ajo tregoi mbrëmë se ka pasur edhe pyetje të adresuara nga mediat për bisedat që i ka pasur me zyrtarë të Listës Serbe, në telefon dhe në zyrën e saj.
Në mesin e këtyre bisedave, nga përgjimet është kuptuar se ajo ka folur edhe me Milan Radojciqin, një nënkryetar tjetër i Listës Serbe, i cili është në listën e zezë të SHBA-së dhe i kërkuar nga autoritetet kosovare për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Biseda i bie të jetë bërë derisa Radojciq është në arrati. Simiq në këto biseda e njofton Kusarin se Radojciq është njëriu kryesor i Listës Serbe, e jo kryetari zyrtar i saj, Goran Rakiq.
Kusari thotë se me Radojciqin ka folur “3-4 minuta” përmes telefonit, pasi e ka lëshuar në speaker phone Simiqi në zyrën e saj. Për të njëjtën bisedë, zyrtari i Listës Serbe i thotë Kusarit në një nga përgjimet se ajo ka folur “30-40 minuta” me “Milanin”.
Por si e kuptoi Kurtin se ajo ka pasur bisedë me Radojçiqin?
Shefja e Grupit Parlamentar të LV-së thotë se Kryeministri Kurti nuk ka qenë i njoftuar për bisedën që e ka pasur me Radojciqin, pasi ajo ka ndodhur “pa përgatitje” dhe thjesht “është përballë me të”, kur Simiq e ka thirrur në telefon shefin faktik të Listës Serbe.
Por, megjithatë, Kurti nuk ka mësuar për këto biseda të hënën kur e mësoi edhe publiku. Kusari thotë se Kryeministri e ka kuptuar kur ka nisur të përmendej kjo biseda, para tre muajve.
Ajo thotë të jetë sqaruar me Kurtin dhe t’i ketë shpjeguar atij se çka ka folur me përfaqësuesit e Listës Serbe.
“Unë kam kërku vetë me ia shpjegu rrethanat, të gjithat. Kryeministri ka dëgju, m’i ka bo disa pyetje shtesë dhe nuk e ka kërku dorëheqjen time”, thotë Kusari.
“Pyetjet për përmbajtjen e bisedës dhe, natyrisht, edhe për komentet të cilat janë dhënë”, ka thënë Kusari.
Gjatë ditës së djeshme, shefja e GP të LV-së ka thënë se ka folur direkt vetëm me përfaqësues të Listës Serbe që kanë pasur përgjegjësi në Kuvend, pra me Slavko Simiqin dhe me Igor Simiqin. Të gjitha bisedat me ta, sipas Kusari, kanë pasur të bëjnë me mbarëvajtjen e punës së Kuvendit. Ajo thotë të vetmin komunikim me Radojciqin e arratisur e ka pasur atë në zyrë të saj, përmes telefonit të Simiqit.