Pishina e Gërmisë ka shënuar dyfishin e rritjes së çmimeve të biletave në krahasim me vitin e kaluar.
Gjatë pesë ditëve të javës, çmimet për biletën hyrëse variojnë nga 2 euro për fëmijë dhe 4 euro për të rritur. Ndërsa, në vikend, çmimi i hyrjes për të rritur bëhet 5 euro, kurse për fëmijë çmimi mbetet i njëjtë.
Ndërkohë që, çmimi i biletës mujore është 50 euro. Rritja e çmimeve ka ndikuar që vizitorët të ankohen, duke mos anashkaluar edhe nivelin e papastërtisë.
Qytetarët janë shprehur për KosovaPress, se çmimet e biletave hyrëse janë të larta, e po ashtu edhe ato të pijeve dhe të ushqimeve.
Qytetari Nol Ukaj, i cili ishte në pishinën e Gërmisë me bashkëshorten dhe tre fëmijët, tha se sivjet çmimet janë dyfish më të shtrenjta në krahasim me vitin e kaluar.
Për të ardhurat që janë në vendin tonë, Ukaj tha se beson që nuk ia vlen të vizitohet pishina e Gërmisë. Sipas tij, niveli i pastërtisë nuk është në nivelin e duhur.
“Po në krahasim me vitet e kaluara, çmimet kanë qenë për dyfish më shtrenjtë…Vjet për shembull kur kam ardhur ka qenë 2 euro hyrja, sivjet kam paguar 4 euro. Për fëmijë vjet ka qenë 1 euro, sivjet është bërë 2 euro. Çadra është 4 euro, vjet ka qenë 1 euro, e njëjta çadër me të njëjtat kapacitete. Për të ardhurat që i kemi, nuk besoj që ia vlen dhe është çmimi shumë i shtrenjtë dhe pastërtia nuk është në nivelin e duhur. Investime krahasim me vjeteshin pashë shumë pak, meqenëse e vizitoj pothuajse çdo vjet, por nuk do të duhej të jetë arsyetim investimi, investimet do të duhej të bëj kjo kompania publike që e menaxhon bazenin e Gërmisë e jo qytetarët, me na shpagu neve në hyrje.”, tha ai.
Se çmimet janë të larta në pishinën e Gërmisë e pohoi edhe Nuhi Cubaj. Ndër të tjera, ai tha se çmimet e larta bëjnë që ai mos të shkojë më në pishinë.
“Jam vizitues i rregullt i fundjavës, por çmimet janë shumë të shtrenjta, vitin e kaluar kanë qenë më të lira, sivjet janë dyfishuar apo mos të them trefishuar. Është 5 euro për të rritur një biletë…Hyn aty tek mesi, ku është ndarja për të rritur dhe për të vegjël, është maksimumi i papastërtisë, njëherë kam hyrë, nuk hyhet më, të hysh më në mes kundërmos, pa pastërti, fëlliqësirë, më falni në shprehje, sot kam ardhe por më nuk do të vi, ja bileta, 5 euro kam paguar biletën, 4 euro për vajzën, tash 9 euro , nuk ia vlen”, u shpreh ai.