0.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

​Rama: Albin Kurti nuk është në botën time, bota ku jam unë është më e madhe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se homologu e tij, Albin Kurti në Tiranë është në shtëpinë e tij, ku mund të bëhet edhe zotëri i shtëpisë përmes zgjedhjeve.
Teksa ka komentuar vizitën e tij dje në Prishtinë, ai tha se nuk është ndjerë i fyer që nuk u takua me Kurtin, meqë siç u shpreh ai, “Në Prishtinë nuk shkova për t’u martuar me Albinin”. Rama pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq theksoi se bota e tij është më e madhe se e kryeministrit të Kosovës. Rama komentoi edhe takimin e djeshëm me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ku tha se “nuk di fare se çfarë është drafti”.

Në vizitën e tij, në kuadër të turit në Ballkanit Perëndimor, Rama është takuar sot edhe me kryeministrin e Malit të Zi.

Kryeministri i Shqipërisë deklaroi se nuk është ndjerë i fyer që homologu i tij, Albin Kurti nuk e pranoi në takim ditën e djeshme.

“Unë nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin dhe nuk ndjehem i fyer si një dhëndër të cilit nusja nuk i doli në takim. Unë shkova në Prishtinë, siç erdha edhe këtu, siç do të shkojë pas pak edhe në Beograd për të pasur takime si kryeministër i Shqipërisë. Dhe në mënyrën absolute nuk kam asnjë problem personal dhe aq më pak problem institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam vetëm qëndrime të kundërta në lidhje me situatë të caktuar, kaq. Këtë situatë e përjetojmë dhe duam ta trajtojmë në mënyra të ndryshme. Unë e përjetoj si një situatë që duhet ta trajtojmë së bashku, duke u ulur dhe duke biseduar, ndërsa Albini e përjeton si një situatë që duhet ta trajtojë pa u takuar dhe pa biseduar dhe është në të drejtën e tij. Unë nuk jam këtu për të bërë interpretime të natyrës psikologjike, folklorike, nacional-heroike. Unë thjesht që në takimin e Tiranës, pavarësisht se cili është qëndrimi i Bashkimit Evropian, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në takimin e Tiranës për procesin e Berlinit, kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe unë dëshiroj që të jemi të gjashtë bashkë aty, përtej faktit që mund të mos jetë i ftuar apo mund të mos duan ta ftojnë në vende të tjera. Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e vet, ku madje mund të edhe të futet në zgjedhje për tu bërë i zotëri i shtëpisë”, deklaroi ai.

Ai tha se Kurti është i ftuar në takimin e Tiranës për procesin e Berlinit, por nuk mund ta kidnapojë.

“Ju siguroj që unë kam bërë çmos deri në minutën e fundit që të takohem me kryeministrin e Kosovës. Ai nuk dua ta interpretoj pse-në. Sepse ai është në një tjetër botë në këtë moment, nuk është në botën time dhe unë e respektoj botën ku ai është, ose sikletin e asaj bote. Unë thjesht mendoj që kjo bota ku jam unë është më e madhe se sa ku është Albini, këtu janë të gjithë aleatët, jemi të gjithë së bashku. Dhe Albini është shkëputur dhe është futur në një botë që është e mbyllur. Secili duhet respektuar në hallin ku është. Për sa i përket takimit të Tiranës, unë kam për borxh ta ftojë, nuk kam për detyrë ta sjell, larg qoftë tani ta kidnapoj unë kryeministrin e Kosovës dhe të futem pastaj në listën e atyre që janë kriminel për hir të Serbisë”, deklaroi ai.

Për më tepër, Rama tha se me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dje kaloi aq mirë, sa nuk mund të flitet për lëndim.

“Unë me Glaukën e kam pasur një bisedë fantastike, miqësore, vëllazërore, shoqërore. Unë flisja, Glauku qeshte dhe nuk kemi folur asnjë fjalë për draftin e asociacionit, asnjë fjalë. Por, pse i tha Glauku ato jashtë, duhet ta pyesni Albinin që nuk ishte në takim, jo Glaukun që ishte në takim. Më kupton… Unë po iu them se Glauku nuk e di fare se çfarë është drafti, Glauku di se çfarë do të thotë kur të del para kamerave, mbasi është konsultuar me Albinin, sepse kështu funksionon demokracia në Qeverinë e Kosovës”, tha më tej ai.

Rama u pyet edhe nëse ka hequr dorë nga Ballkani i Hapur, ku tha se nuk është kompania e tij por nismë e përbashkët.

“Së pari Ballkani i Hapur, nuk është kompania ime private, që unë e hapa dhe unë e mbyll. Ballkani i Hapur është një nismë e përbashkët e disa vendeve ku unë kam pasur privilegjin të jem pjesë dhe një mijë herë të kthehesha, një mijë herë do ta rihapja këtë iniciativë. Unë thjesht kam shprehur opinionin tim, që Ballkani i Hapur e ka kryer misionin e vet por nuk e kam imagjinuar, nuk e imagjinoj që procese e nisma të konsoliduara, të organizuar do të duhej të ndalonin të gjitha. Nuk është kompania ime, është një nismë e përbashkët. Unë thjesht e kam shprehur opinionin tim, por pse e kam shprehur në këtë moment? Për një arsyeje të thjesht, sepse duke iu kundërvënë Ballkanit të Hapur me teori konspirative haluçiante, si për shembull është një plan kino-rus, apo duke thënë që këtu është i përfshirë edhe kryeministri hungarez, alienët në hapësirë, në fakt nuk kanë dëmtuar atë nismë por procesin e Berlinit, e kanë ndikuar në vendeve të ndryshme”, shtoi ai në konferencë për media.

Situatën në Kosovë dhe raportin me ndërkombëtarët, e ka komentuar edhe kryeministrit i Malit të Zi, Dritan Abazavoq, i cili tha se ky konflikt nuk është i mirë as për Kosovën dhe as Serbinë.

“Unë mendoj që çdo konflikt, qoftë ai me ndërkombëtarët nuk është i mirë as për Serbinë, e as për Kosovën, por as për rajonin. Mendoj se është harxhuar një kohë shumë e madhe, energji shumë e madhe, se si të vihet deri tek një propozim, ai propozim mund të them se nuk është perfekt, por është i mirë. Mendoj se kishte me qenë mirë me shkua drejt firmosjes së asaj marrëveshje. Ashtu i shoh unë punët dhe mendoj që ajo do të ishte një bust i mirë për të gjithë rajonin, më në fund se jemi duke ardhur dakord për diçka, e jo që jemi më larg e më larg një marrëveshje”, u shpreh ai.

Ai shtoi se e mbështesin iniciativën e kryeministrit shqiptar, por jo edhe agresivitetet.

“Qëllimi është që rajoni të jetë i fokusuar tek e ardhmja, e jo nga e kaluara. Mendoj që të gjithë jemi të lodhur me temat nga e kaluara. Sigurisht që kanë mbetur çështje të hapura, por ne duam që sa më shpejt të mbyllen dhe të fitojë një epilog përfundimtar. Fokusi i rajonit duhet të jetë tek rruga jonë e përbashkët në Bashkimin Evropian. Ne kemi ndarë mendime lidhur edhe me disa çështje që do t’i diskutojmë edhe do i realizojmë në periudhën e ardhshme, një takim që do të jetë në Tiranë dhe një takim që do të jetë në kuadër të procesit të Berlinit, që do të jetë në Tiranë në muajin tetor, lidhur me projektet e përbashkëta”, u shpreh ai.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama pas takimit me Abazaviq tha se diskutuan për procesin e Berlinit, por edhe për samitin e ardhshëm të NATO-s. Po ashtu, theksoi se u fol edhe takimin informal të Tiranës më 17 korrik.

“Po ashtu, e informova për përgatitjen e një takimi informal në Tiranë, më 17 korrik, bashkë me përfaqësues të komisionit nga Brukseli për të dialoguar lidhur me planin. Ky ishte takimi, sigurisht që ne jemi jo vetëm në një linjë politikisht por jemi edhe në një horizont të përbashkët në qasje. Çdo gjë që provokon sherr dhe ushqen konflikt në rajonin tonë, ngado që të vij për ne është problem, dhe ne nuk jemi në asnjë mënyrë të gatshëm të bëhemi pjesë, por të bashkojmë forcat kundër për të ju kundërvënë situatave sherri dhe konflikti. Ne duam një paqe që të funksionojë për njerëzit, dhe njerëzit të kenë më shumë punë, të ardhura dhe jo më shumë përralla dhe historie heroizmash. Heroizmat i përkasin të kaluarës, ne nuk kemi nevojë për heronjtë të rinj në rajonin tonë për modele të reja të cilat të frymëzojnë të tërë për se si të jemi më inovativ, kreativ, më eficientë ”, shtoi Rama.

Pas takimit në Mal të Zi, kryeministri shqiptar Edi Rama do të vizitojë edhe Beogradin.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img