Në një paraqitje përmes video-linkut, Ramush Haradinaj tha se beteja e Gllogjanit e 24 marsit 1998 ishte fitore e madhe për UÇK-në dhe turpërim për armikun.
I ndaluar në Francë në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Haradinaj edhe kësaj here ka munguar fizikisht në ceremoninë e “Epopesë së Dukagjinit”, që shënohet për çdo 24 mars në vendlindjen e tij.
Megjithatë, të pranishmit në manifestimin e mbajtur në qendër të Deçanit Haradinaj i përshëndeti përmes video-linkut.
Ai tha se beteja e Gllogjanit e 24 marsit 1998 ishte fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe turpërim për armikun.
“E kujtojmë Epopenë e Dukagjinit, betejën e Gllogjanit më 24 mars si fitoren tonë dhe si turpërimin e atyre që na kishin turpëruar vite e shekuj. Jemi krenarë se atë ditë ashtu siç u dha porosia në Prekaz nga komandanti ynë legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, do qëndrojmë deri në lirinë tonë. Liria jonë erdhi por me shumë mund, me shumë dhimbje shumë flijime. Duke qëndruar të bashkuar për lirinë tonë me ne u bashkua edhe NATO, edhe Amerika. Çdo herë do t’i qëndrojmë besnik të drejtës tonë shqiptare në Ballkan. Lavdi të rënëve për liri!”, tha Ramush Haradinaj në këtë paraqitje nga Franca.
24 marsi është ditë që i bën krenarë shqiptarët kudo që janë, tha kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.
“24 marsi është dita që gjithë neve na bën të ndihemi krenarë gjithandej ku flitet shqip. 24 marsi i Gllogjanit, i betejës së Dukagjinit i udhëhequr nga komandanti legjendar Ramush Haradinaj shënon kthesën historike të luftës qindra vjeçare për liri dhe bashkim kombëtar”, tha Selmanaj.
Tre heronjtë e parë të kësaj beteje të Dukagjinit ishin Gazmend e Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, tha Selmanaj.
Ai vlerësoi lartë mundin dhe sakrificën e familjes Haradinaj në luftën kundër forcave serbe, posaçërisht më 24 mars të vitit 1998.
Në mungesë të Ramush Haradinajt janë shënuar shumë manifestime të “Epopesë së Dukagjinit”, tha vëllai i tij, Dauti.
Por, ky mars dëshmon më së miri bashkimin e të gjithë shqiptarëve për luftën e drejtë në Dukagjini, tha ai.
“Është e vërtetë që kemi shënuar plotë marse pa Ramushin, por mendoj që ky mars e dëshmon me së miri se sa të bashkuar jemi dhe sa përkrahje ka lufta e drejtë e jona të cilën në Dukagjin e udhëhoqi Ramushi. Për këtë arsye pa dallim partive politike po i shoh këtu plot deputetë, komandantë të Koshares, kryetarë komunash, po shoh Luginën e Preshevës, pe shoh Shqipërinë”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se çfarëdo që kërkojnë Serbia dhe aleatët e saj nga Dukagjini do ta kenë gjithmonë përgjigjen. Ai tha së kur shqiptarët bashkohen nuk ka kush t’i ndalë në qëllimin e tyre.
Haradinaj tha së pikërisht më 24 mars NATO dhe Amerika u bashkuan me shqiptarët për të drejtat e tyre për liri.
Ndërsa, princ Leka tha se uron që sa më parë të lirohet nga autoritetet franceze Ramush Haradinaj, të cilin e quajti hero të gjallë të luftës dhe paqes.
Familjarëve të tre heronjve të parë të betejës së 24 marsit, Gazmend e Arton Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, kreu i Komunës së Deçanit iu dha dekoratën “Heroi i kombit Shkelzen Haradinaj”.
Ndërkaq, në kompleksin memorial të UÇK-së në Gllogjan janë bërë homazhe në nderim të të gjithë të rënëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.