-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

ShBA-ja kërkon drejtësi dhe përgjegjësi nga Serbia për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Në mesin e mijëra personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë janë edhe vëllezërit Bytyqi, tre shqiptarë nga Prizreni me shtetësi amerikane të cilët u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi.

Ndonëse kanë kaluar 24 vjet nga vrasja e tyre, deri sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë krim.

Kështu, Ambasada Amerikane në Beograd, në këtë përvjetor të vrasjes së tyre, ka kërkuar përgjegjësi nga shteti i Serbisë.

“Kanë kaluar 24 vjet që kur shtetasit amerikanë Ilir, Mehmet dhe Agron Bytyqi u ekzekutuan derisa ishin të paraburgosur nga policia speciale serbe. Çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte është një fyerje ndaj shtetit të së drejtës”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë sërish thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të nxjerrë para drejtësisë ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”, thuhet në postimin e Ambasadës së ShBA-së në Beograd në Twitter, raporton Klankosova.

Familja Bytyqi, më 2021 i kishte bërë thirrje administratës së presidentit amerikan, Joe Biden që të angazhohet seriozisht për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi në Serbi më 1999.

“Deri më tani, ne jemi thellësisht të zhgënjyer që administrata nuk ka ndërmarrë hapa më seriozë kur mund të bëhej kaq shumë”, thuhej në një komunikatë të familjes Bytyqi.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

“I bëjmë thirrje administratës së presidentit Biden që të fillojë një angazhim serioz për këtë çështje para se të jetë tepër vonë. Presidenti Biden u dha një premtim vëllezërve tanë, familjes sonë dhe komunitetit tonë. Shpresojmë që administrata e tij shpejt ta përmbushë atë premtim”, thuhet në deklaratën e familjes Bytyqi.

Aty theksohet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë, vazhdimisht kanë treguar se janë një aktor jo i besueshëm në këtë çështje “por, zyrtarët e Departamentit të Shtetit refuzojnë të pranojnë këtë fakt”.

Baza e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, atëbotë ishte nën komandën e Goran Radosavleviqit-Guri.

Rreth 2 vjet më parë, Serbia e nderoi të njëjtin me një medalje mirënjohjeje.

Radosavleviq është në listën e sanksioneve të SHBA-së pasi dyshohet si i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Ambasada amerikane në Serbi kishte thënë atëbotë se Radosavleviqi “duhet të përballet me drejtësinë dhe nuk duhet të marrë medalje”.

Më 7 korrik të vitit 2021, Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi kishte thënë se ishte duke mbledhur prova të reja me qëllim që të “përcaktohet identiteti” i autorëve të vrasjes së vëllezërve Bytyqi më 1999.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img