Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë arsyet që kanë çuar në mungesë të punëtorëve.
Murati në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë është pyetur për ankesat e bizneseve për mungesë të punonjësve.
“Janë dy çështje këtu. Arsyeja e parë pse mund të ketë mungesë, është shkaku i mospërputhjes mes aftësive që kërkohen nga tregu i punës dhe atyre që shumica e të rinjve tanë i kanë. Ka vende të lira për programer, por duhen kohë të trajnohen programerë të rinj me paga të larta. Ne si Qeveri kemi marrë disa prej hapave të nevojshëm, ka pasur mbështetje të trajnimeve apo kurseve për IT”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se janë përkrahur edhe studentët e teknologjisë me bursa. Po ashtu ka përmendur edhe platformën superpuna.
Murati ka përmendur edhe arsye tjetër për mungesë të punëtorëve.
“Kemi anën tjetër, problemin e mosofrimit të kushteve të nevojshme nga bizneset. Duke filluar nga pagesat. Për shumë biznese marzha e profitit është rritur, sidomos në vitet e fundit, e them të konfirmuar nga të dhënat. Duhet të rriten pagat e punëtorëve. Kemi bërë thirrje disa herë si Qeveri, kemi pasur edhe masa mbështetëse për rritje të pagave. Po insistojmë në mënyrë efikase të rrisin pagat. Nëse e bëjmë 265 euro pagën minimale, atëherë bizneset do ta kenë si prag këtë”, tha Murati.