Roberto Firmino është transferuar edhe zyrtarisht në Al-Ahli si lojtar i lirë pasi u largua nga Liverpooli.
Sulmuesi brazilian ndihet i lumtur pasi iu bashkua klubit nga Arabia Saudite.
“Unë gjithmonë kam luajtur për klube të mëdha, ndërsa tash jam pjesë e Al-Ahlit”, tha ish-përfaqësuesi brazilian në një video në llogarinë e klubit të tij të ri në “Twitter”.
31 vjeçari nënshkroi kontratë trevjeçare dhe do t’i bashkohet portierit Edouard Mendy, i cili u lagua nga Premierliga pasi i kaloi tri sezone në Chelsea.
Al-Ahli u rikthye në Saudi Pro League pasi e kaloi sezonin 2022-2023 në divizionin e dytë, ndërsa ekipi është ende pa trajner pas largimit të jug-afrikanit, Pitso Mosimane.
Firmino i ishte bashkuar Liverpoolit në vitin 2015 dhe e kishte ndihmuar gjigantin anglez ta fitonte Ligën e Kampionëve, FA Cup dhe Premierligën.
Braziliani i kishte realizuar 111 gola për klubin, ndërsa lojën e fundit me “Reds” e zhvilloi në muajin maj.
Firmino iu bashkohet kështu lojtarëve të mëdhenj që lëvizën drejt Lindjes së Mesme javët e fundit si Karim Benzema, N’Golo Kante, Ruben Neves, Marcelo Brozovic, Kalidou Koulibaly etj., të cilët e ndoqën rrugën e Cristiano Ronaldos, i cili kishte përfunduar në Al-Nassr në muajin janar.