6.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Mesazhi nga Tirana, çfarë tha në të vërtetë ish-Presidenti Clinton për zhvillimet në Kosovë

Fjalën e tij për zhvillimet në veri të Kosovës e tha edhe ish-Presidenti Clinton. Nga Tirana ai i çoi mesazh Prishtinës. Sipas tij duhet të ndalet “kjo marrëzi”. Dhe, serbët duhet të zgjedhin kryetarët e tyre.

Ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton, njeriu më meritor për lirinë e Kosovës, u prit dje për herë të parë në Tiranë. Ai tha se këtë vizitë po e bënte si një qytetar privat amerikan dhe pa asnjë detyrë publike.

Por, fjalimi i tij nuk do të përcillej thjesht si i një qytetari privat. As pritja që iu bë Presidentit që vendosi për bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nuk ishte si për ndonjë mysafir tjetër.

Në adresimin e Clintonit para qytetarëve që kishin dalë të ndiqnin, nuk kishte se si të mungonte Kosova. Ai i komentoi zhvillimet e muajit të fundit në veri, që nisën me futjen e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në komunat veriore me shumicë serbe: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

“Është një mosmarrëveshje që po ndodh në Kosovë, që do të doja të mos ndodhte kurrë”, tha Clinton.

Ish-Presidenti tutje se “Kosova krijoi ato katër qytete për të mirën e serbëve… kështu që, unë mendoj se ata [banorët serbë] bënë gabim që s’votuan”.

Futja me forcë e kryetarëve në objektet komunale, që nxiti protesta të serbëve lokalë, u dënua nga SHBA-ja, së pari, e cila paralajmëroi edhe sanksione ndaj Kosovës.

Clinton, një përkrahës i madh, i Kosovës shtet dhe i shqiptarëve të Kosovës dha një këshillë për gjendjen e krijuar në veri. Ai tha se “këtë marrëzi” duhet ta ndalim.

“Unë mendoj që është e lehtë për shqiptarët, tani në shumicë [në Kosovë], të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të shprehur qëndrimin e tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është ta ndalim këtë marrëzi”.

Ish-Presidenti thotë se nuk mund të shtyhen çështje të mëdha politike para, duke pasur tensione në vend. Prandaj, sipas tij, serbët duhet të votojnë dhe të zgjedhin kryetarë të rinj.

“Çfarë çështje e madhe politike mund të shtyhet përpara duke pasur këto tensione? Njerëzit në ato komuna duhet të ketë një qeverisje të denjë dhe qytetarët duhet të votojnë”, tha Clinton.

Fjala e Presidentit Clinton për Kosovën nxiti reagime brenda vendit edhe për shkak se fjala e tij nuk u përkthy si duhet. Zyrtarët qeveritarë në Prishtinë, akoma nuk e kanë komentuar mesazhin e tij nga Tirana.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img