Federata e Futbollit të Kosovës duket se e ka zgjidhur çështjen e selektorit të Kombëtares së Kosovës.
Në ditët e fundit u lakuan disa emra si Andriy Shevchenko e Vahid Halilhodzic, ndërsa Tahir Batatina u vetëofrua.
Por, burime të sigurta të “Gazetës Express” brenda FFK-së mësojnë se shtëpia e futbollit kosovar ka vendosur që pozitën e selektorit t’ia besojë Primoz Glihas.
Trajneri slloven do ta pasojë të larguarin Alain Giresse.
FFK-ja do ta zyrtarizojë shumë shpejt Glihan, i cili ishte pjesë e Kombëtares më herët duke i udhëhequr “Dardanët” përkohësisht.
E ndihmës të tij pritet të jenë dy trajnerë vendorë, Afrim Tovërlani, i cili është trajner i U-21 të Kosovës dhe Arbnor Morina, që është trajner i U-17 të Kosovës, si dhe një tjetër, po ashtu vendor.
Gliha pritet t’i drejtojë Verdhekaltrit deri në fund të kampanjës kualifikuese për “Euro 2024”.
Kosova nuk e nisi mirë fazën eliminatore duke i regjistruar tri barazime e një humbje, me ç’rast mbeti prapa sa i përket gjasave për ta siguruar kualifikimin historik në Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet vitin tjetër në Gjermani.