Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi nga BE-ja, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.
Sipas një njoftimi të presidencës së Kosovës, emisari evropian do të pritet në takim nga e para e shtetit, Vjosa Osmani në orën 15:00.
Pas Osmanit, në orën 16: 00, Lajçaku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.
Me ta përfunduar vizitën në Prishtinë, emisari i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi do të shkojë për vizitë në Serbi.
Siç bëhet e ditur në një njoftim të presidencës serbe, takimi mes tij dhe kreut të shtetit serb, Aleksandar Vuçiq do të ndodhë të mërkurën në orën 11:00.
Këto vizita, Lajçaku i zhvillon me kërkesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell.
Kështu ka konfirmuar të hënën për Klankosova.tv zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
“Është një pjesë integrale e punës së një Përfaqësuesi të Lartë të BE-së të udhëtojë për të parë partnerët në terren. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Miroslav Lajçak është rregullisht në Beograd, Prishtinë, kryeqytetet e BE-së dhe vende të tjera, përfshirë jashtë BE-së, për të kryer punën e tij të përditshme për të çuar përpara dialogun”, ka bërë të ditur Stano.