Vietnami ka ndaluar filmin e shumëpritur “Barbie”, për shkak të një skene që tregon një hartë të Detit të Kinës Jugore, e cila sugjeron se Kina po pretendon territorin që zotëron Vietnami, njoftuan mediat shtetërore të hënën.
Linja në formë U përdoret në hartat kineze për të ilustruar pretendimet e Pekinit për zona të gjera të Detit të Kinës Jugore, duke përfshirë territoret që Vietnami i konsideron shelfin e tij kontinental, në të cilin ka dhënë koncesione nafte.
“Barbie” është filmi i fundit që u ndalua në Vietnam për paraqitjen e linjës kontroverse të Kinës me nëntë pika, e cila u refuzua nga një gjykatë në Hagë në një vendim të arbitrazhit ndërkombëtar në 2016. Kina refuzon të njohë vendimin.
Në vitin 2019, qeveria vietnameze tërhoqi filmin e animuar të DreamWorks “Everest: Young Yeti” (“I neveritshëm”), dhe vitin e kaluar ndaloi filmin aksion të Sony “Uncharted” për të njëjtën arsye.
Filmi “Barbie”, me Margot Robbie dhe Ryan Gosling, ishte planifikuar fillimisht të dilte në Vietnam më 21 korrik, në të njëjtën datë me Shtetet e Bashkuara, sipas gazetës shtetërore Tuoi Tre.