Sami Ahmeti, këshilltar komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq, është emëruar sot këshilltar politik i ministrit Xhelal Sveçla.
Ahmeti ka njoftuar sot se është bërë pjesë e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme.
“I lumtur që nga sot do të jap kontributin tim, në rolin e këshilltarit politik të Ministrit të Punëve të Brendshme z.Xhelal Sveçla”, ka thënë Ahmeti.
“Së bashku do të vazhdojmë të punojmë për një Kosovë më të mirë e më të sigurtë”, ka deklaruar ai.
Vitin e kaluar, Sami Ahmeti kishte marrë vëmendje mediatike mbi dyshimet për ndikim në një konkurs të Koorporatës Energjetike të Kosovës.
Naim Ahmeti, vëllai i Sami Ahmetit, ndodhej në mesin e mbi 100 të punësuarve në KEK.
Paparaci kishte raportuar për procesin rekrutues në KEK, në të cilin shumë kandidatë që kanë pasur nga 80 pikë deri 100 pikë nuk janë pranuar në punë me arsyetimin se gjatë intervistës verbale kanë dështuar.
Hulumtimi dëshmonte se si prej 120 të punësuarve që janë pranuar, janë të afërt me partinë në pushtet: Lëvizjen Vetëvendosje.