Partia më e madhe opozitare në vend, PDK, sot do të mbajë mbledhjen e Këshillit Drejtues ku temë kyçe do të jetë situata në veri të vendit.
Mbledhja do të mbahet në ora 15:00 në Hotel “Amazona”.
Të dielën mbajtjen e mbledhjes e ka paralajmëruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ku ka thënë se qytetarët kanë nevojë për qartësi.
“Kam ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, për të diskutuar për gjendjen e rëndë në vend dhe për rrugën që është para nesh. Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese.Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai tha tutje se Kurti po e vendos Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara.
“Ky kryeministër i papërgjegjshëm po e vendosë Kosovën në hartën e vendeve të sanksionuara ku, nga Evropa, bëjnë pjesë vetëm Rusia, Bjellorusia, Moldavia e Republika Srpska”, ka deklaruar Krasniqi.