Milot Rashica e ka shprehur dëshirën për ta vazhduar eksperiencën turke pasi po ndihet mjaft mirë në Galatasaray.
Ylli kosovar e kaloi një sezon të shkëlqyeshëm në Superligën turke, por tek klubi nga Stambolli ishte vetëm i huazuar dhe tash përkohësisht është rikthyer në Norwich City.
Pasi klubi anglez nuk luan në Premierligë, vushtrriasi nuk e ka ndërmend të qëndrojë më aty.
Krahas Galatasarayt, në Turqi 27 vjeçarin e duan edhe dy gjigantët tjerë të qytetit, Fenerbahçe dhe Besiktasi.
Ndërsa, mediat turke shkruajnë se përfaqësuesin kosovar e duan edhe klubet e Premierligës dhe të Bundesligës, ndonëse nuk janë përmendur klubet e interesuara.
Ndërkohë, shefi i Galatasarayt, Erden Timur ka biseduar me drejtorin sportiv të Norwichit, Stuart Webber për ta shikuar mundësinë e blerjes definitive të lojtarit nga “Carroë Road”.
Galata duket se është e gatshme t’i paguajë 7 milionë euro për kartonin e futbollistit, ndërsa Norwichi i kërkon mbi 10 milionë.
Rashica ka kontratë me klubin nga Championshipi anglez deri më 30 qershor të vitit 2025.
Rashica i realizoi 11 gola në 26 ndeshje në Superligën turke në sezonin e fundit, duke e fituar njëkohësisht edhe titullin e kampionit në Turqi.