Vjollca Gashi, mësuese në Shkollën Fillore “Pavarësia” në kryeqytet çdo ditë e nis punën e saj nën prezencën e 39 nxënësve që aktualisht po ndjekin klasën e dytë.
Me të hyrë në klasë, presioni i kohës e detyron Gashin që ajo të bëjë një sërë veprimesh me nxënësit.
Kësisoj, mësuesja i përshëndet nxënësit gjersa njëkohësisht i pyet ata për ditën e tyre, fillon t’iu kontrollojë detyrat një nga një, iu jep vlerësimin vogëlushëve nëpër fletore e më pas i pyet ata për përsëritje nga mësimi i fundit.
Me dhjetëra nxënës ngritin njëkohësisht duart për t’i dhënë përgjigje mësues Vjollca.
E gjithë kjo ndodh për shkak të mbingarkesës me nxënës që ka ky institucion arsimor tash e 6 vite.
Momentalisht në këtë shkollë të përbërë nga vetëm 22 klasë, mësimin e ndjekin 1814 nxënës.
Si pasojë e kësaj, shkolla është detyruar që të punojë me tri ndërrime, ku e para fillon në ora 07:30 në mëngjes dhe e treta përfundon në orën 19:00.
Mësimdhënësja Vjollca Gashi ka shpjeguar vështirësitë që numri i madh i nxënësve i sjell asaj gjatë punës.
“Problemet kryesore janë nga të gjitha anët, si gjatë shpjegimit, gjatë informimit të nxënësve, gjatë marrjes së përgjigjeve të tyre, gjatë testimeve, kontrollit të tyre”- ka thënë Gashi.
Sa mund të jetë i saktë ai vlerësim për ato minuta që i kemi nuk mund të them, sidomos shkolla jonë që punon me tri ndërrime. Është shumë e vështirë”- ka shtuar ajo.
Një problem të ngjashëm e kalon çdo ditë edhe mësimdhënsja Fatime Bejta. Ajo për momentin ka 30 nxënës që ndjekin mësimin në klasën e saj, mirëpo Bejta pohon se në të kaluarën ajo ka pasur raste që ka punuar me numër edhe më të madh nxënësish.
“Me pas qenë numri më i vogël i nxënësve do të kishte qenë më lehtë edhe për neve” – thotë Bejta.
Si shumë mësimdhënës të tjerë, edhe ajo vazhdon të shpresojë që viti i ardhëm shkollor t’i gjejë ata me një zgjidhje.
“Jemi duke punuar me një ngarkesë shumë të madhe të nxënësve, edhe shkolla ka një ngarkesë jashtëzakonisht të madhe. Me vite e vite duke shpresuar por ende nuk po zgjidhet ky problem”- është shprehur Bejta.
Edhe drejtori i kësaj shkolle, Shefki Rusinovci, ka pohuar situatën e palakmueshme në të cilën po kalon kjo shkollë.
Rusinovci është shprehur se numri i klasëve nuk është i mjaftueshëm që procesi mësimor të mbahet në kushte normale e në mënyrë komode.
“Klasë apo dhoma mësimi janë 22 që nuk mjaftojnë as për gjysmën e këtyre nxënësve për një mësimdhënie që kish me qenë në kushte komode dhe që kishte me dhanë rezultatet që ne i synojmë dhe që pritet mi realizu”- ka thënë ai.
Kreu i kësaj shkolle ka treguar se edhe orën e pestë dhe të gjashtë janë detyruar ta shkurtojnë si pasojë e tejzgjatjes që sjell mbajtja e mësimit me tri ndërrime.
“Shumica e orëve janë 40 minuta por e kemi orën e pestë dhe të gjashtë që jemi detyruar ta shkurtojmë në 35 minuta. Se përndryshe mësimi do të shtyhej diku deri në orën 21:00”-ka thënë ai.
Derisa në këtë shkollë dikur ekzistonin kabinete të lëndëve të ndryshme mësimore, sot ato janë shndërruar në klasë që të ketë më shumë vend për nxënësit.
“Ne kemi pasur edhe kabinete për shembull të fizikës, të kimisë, të artit, të biologjisë, etj. Për momentin e kemi (kabinetin) vetëm të biologjisë dhe të artit sepse jemi munduar t’i improvizojmë disa klasë nga ato kabinete dhe vështirësitë kanë qenë të mëdha”- ka shpjeguar Rusinovci.
Ndërtimi i një aneksi të ri si zgjidhje për situatën në këtë shkollë, drejtori thotë se është kërkuar prej kohës por që ai shpjegon se kjo gjë është zvarritur.
“Nuk them se nuk ka investuar komuna. Sidomos në 2-3 vitet e fundit ka pasur investime shumë më të theksuara, por ai investimi kapital që do të duhej të ndodhte për të krijuar minimumin e kushteve për një punë komode ende nuk po ndodh. Unë besoj që ai do të ndodhë, por a jemi vonuar? Mendoj se jemi vonuar në skajshmëri”- ka thënë Rusinovci.
Drejtori i shkollës i “Pavarësisë” është shprehur se vitin tjetër shkollor po e presin me shqetësim dhe me shpresën për një zgjidhje nga komuna.
“Ne e presim këtë goxha me shqetësim se shtatori vetëm është afër dhe do të ketë me të vërtetë trysni dhe pakënaqësi jashtëzakonisht të mëdha, të gjitha janë të arsyeshme”- ka thënë Rusinovci.
Edhe prindërit në pritje të një zgjidhjeje
Havushe Spahiu çdo ditë sjellë në shkollën “Pavarësia” dy fëmijët e saj që mësimin e ndjekin në dy ndërrime të ndryshme.
Ajo pohon se ngarkesa me numrin e madh të nxënësve sjell telashe për të gjitha palët, përfshirë edhe prindërit.
“Si shkollë është mjaft e ngarkuar, ka klasë me 30 e disa edhe me 40 nxënës që është vështirë për tu vijuar një mësim në kushte normale. Është problem edhe për mësimdhënësit, sigurisht por edhe për ne si prindër është e ngarkuar, për nxënës për krejt”- thotë ajo.
Njëjtë si shumë prindër tjerë edhe Spahiu shpreh dëshirën që në këtë shkollë të gjendet një zgjidhje që mësimi të mbahet në kushte normale dhe procesi mësimor të jetë më i lehtë për mësimdhënësit dhe nxënësit.
“Sikur të ishte një hapësirë më e madhe, mos me qenë një klasë kaq e ngarkuar me një numër kaq të madh të nxënësve, kishte me qenë një përmirësim në këtë shkollë, por me qenë hapësira sigurisht”- shton Spahiu.
Shpresa e saj mbetet që viti tjetër shkollor të ketë një zgjidhje për këtë shkollë ku fëmijët e saj vijojnë mësimin.
DKA: Së shpejti priten të fillojnë punimet për aneksin e ri
Mediumi ka kontaktuar Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë.
E para e kësaj drejtorie, Besianë Musmurati i ka thënë KALLXO se punimet për ndërtimin e aneksit të ri pritet të fillojnë së shpejti.
“Kontrata është nënshkruar, jemi në rregull, punimet priten të fillojnë së shpejti por krejt varet prej motit…. Me aneksin e ri do të rritet hapësira për akomodim të nxënësve”- ka thënë Musmurati.
Në maj të këtij viti Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Korporatën Ndërkombëtare për Financa (IFC) për ndërtim të pesë shkollave të reja me partneritet publiko-privat.
Lokacionet preliminare të shkollave të reja janë në lagjet: Arbëria, Mati 1, Veternik, Kalabri dhe Qendër.
Sipas Musmuratit edhe kjo do të jetë një lehtësim për shkollën “Pavarsia”.
“Në të njëjtën kohë ne kemi filluar me kontratat për ndërtimin e shkollës në lagjen Qëndresa në Veternik si dhe në lagjen Mati 1 te kompleksi Kodrina. Që të dyja këto shkolla do të ndikojnë në uljen e numrit të nxënësve në shkollën Pavarësia dhe Ismail Qemali”- ka shtuar ajo.
Sipas Musmuarit, në Prishtinë janë momentalisht dy shkolla që punojnë me tri ndërrime.
Mediumi ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për të marrë vesh se sa është numri i shkollave në Kosovë që punojnë me tri ndërrime, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij lajmi MASHTI nuk ka kthyer përgjigje, raporton Kallxo.