-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Veseli në klubin afarist frankofon: Kosova ofron perspektivë për kompanitë e huaja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në lansinin e klubit afarist frankofon, ku i siguroi për mbështetje të plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Përmes këtij mekanizmi, që po lansohet sot, do të hulumtohen mundësitë e bashkëpunimit ekonomik të Kosovës me vendet anëtare të frankofonisë. Republika e Kosovës, shteti më i ri në Evropë, me burime të shumta natyrore, me një popullatë shumë vitale, e një rini që aspiron vlerat perëndimore, ofron një perspektivë të sigurtë investive për kompanitë e huaja”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ftoi investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë, pasi sipas tij, Kosova ofron perspektivë dhe shumë mundësi për investitorët e huaj.

“Ne jemi duke përmirësuar me hapa të shpejtë ambientin e të bërit biznes në Kosovë.
Jemi duke punuar në thjeshtimin e procedurave ligjore, eleminimin e barrierave burokratike, dhe funksionalizimin e ligjeve që stimulojnë sipërmarrësit e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe ligjet që garantojnë konkurrencën e lirë.
Jemi të vendosur të mos tolerojmë asnjë faktor që pengon zhvillimin ekonomik të vendit, ngase prej këtij zhvillimi varet çdo proces tjetër që ka të bëjë me fuqizimin e shtetit ligjor, finalizimin e demokratizimit të shoqërisë, dhe ecjen përpara në integrimet evro-atlantike”, tha Veseli.

Ai u shpreh i bindur që me punën e tij, ky klub afarist frankofon, jo vetëm që do të sjellë investues të huaj që i nevojiten aq shumë Kosovës, por njëkohësisht do të mundësojë që edhe kompanitë kosovare të depërtojnë në tregjet e punës të vendeve anëtare të frankofonisë.

“Ne kemi nevojë urgjente në përmirësimin e bilancit tregtar me botën dhe ky mekanizëm që po lansojmë sot mund të arrijë rezultate pozitive në këtë drejtim. Intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike me botën demokratike, marrja nga ne e përgjegjësive të reja në partneritetin evro-atlantik, janë orientime të palëkundura gjeostrategjike të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky është vizioni ynë perëndimor, për të cilin nuk kemi as dilema, as alternativa, por vetëm përkushtim shtetëror dhe qytetar”, deklaroi kryetari Veseli.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img