Kuvendi Komunal i Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, të cilën e ka udhëhequr anëtari më i vjetër, Ismajl Kurteshi, me 19 vota për dhe një kundër e ka shkarkuar kryesuesin e deritashëm Arianit Sadiku.
Kërkesën për shkarkimin e kryesuesit, në emër të 19 anëtarëve të Kuvendit, të cilët e kanë iniciuar këtë çështje, e ka arsyetuar Avdyl Aliu (LDK).
Aliu ka thënë se Kuvendi nuk ka funksionuar mirë që prej fillimit, ndërkaq prej korrikut të vitit 2022 e këndej është futur në krizë dhe nuk po mund të funksionojë, si pasojë e mungesës së bashkëpunimit, prandaj nuk ka kuptim për të vazhduar kësisoj më tutje.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se adresimi për dështimin e seancave të Kuvendit Komunal, nuk mund të drejtohet vetëm nga një person, sepse kryesuesi e ka për obligim vetëm administrimin e seancës, por jo edhe sigurimin e numrave.
Për më tepër ai tha se qëllimi i opozitës, përmes kësaj loje të fshehtë e tinëzare, është diku tjetër.
“Kjo është një tentativë për ta prishur LVV ndërmjet vete, siç u veprua me koalicionin, por kjo nuk do të ndodh”, tha Hyseni.
Kryesuesi i ri i Kuvendit nuk ka mundur të zgjidhet sot, meqë ishte vetëm një propozim, Kushtrim Kadriu (Vatra) ndërkaq, sipas statutit, duhet të jenë së paku dy propozime.
Seanca i ndërpreu punimet për të vazhduar javën e ardhshme.