Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, do të zbarkojnë të hënën në Kosovë, lidhur me zhvillimet në veri të vendit.
Përveç Kosovës, ata do të qëndrojnë për vizitë edhe në Serbi.
Sipas raportimit të gazetës holandeze “Haarlems Dagblad”, gjatë kësaj vizitë do të diskutohet për tensionet midis Serbisë dhe Kosovës dhe rëndësinë e de-përshkallëzimit dhe përkushtimit ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndryshe, serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.
Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri.