Rreth 4.5 milionë euro i ka kushtuar Kosovës blerja e objektit të ambasadës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Objekti është blerë vitin e kaluar, por çmimi nuk është zbuluar deri tash.
Koston për blerjen e këtij objekti e ka zbuluar Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes raportit që ka publikuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme për vitin 2022.
Ndër gjetjet për këtë ministri, përmendet edhe mospërfshirja e kontratës për blerjen e ambasadës në ShBA, në vlerë 4 milionë e 463 mijë e 860 euro, në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara publike për vitin e kaluar.
Sipas ZKA’së, tek ky raport nuk ishte paraqitur as kontrata për blerjen e një veture për Ambasadën e Kosovës në Angli, në vlerë mbi 50 mijë euro.
“Në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara publike për vitin 2022, nuk ishin paraqitur kontratat për blerjen e ambasadës në SHBA në vlerë 4,463,860€, dhe për blerjen e veturës për ambasadën në Angli në vlerë 50,463€”, thuhet në raportin e Auditorit për MPJ’në.