Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para rreth një ore në rrugën e Kombit, ku një autobus me targa të Kosovës ka përplasur një biçiklist 72-vjeçar dhe për pasojë i njëjti ka humbur jetën. Vdekjen e të moshuarit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa rasti tashmë është konfirmuar edhe nga kompania.
Sinjali ka kontaktuar pronarin e kompanisë, “Dalina Tours” nga Kamenica, për të marrë informacionet e para që kanë lidhur me aksidentin me fatalitet dhe i njëjti ka thënë se biçiklisti ka qenë fajtor.
Ndonëse hetimet veçse kanë filluar, pronari tha se viktima ia ka prerë rrugën autobusit, prandaj shoferi nuk është shkaktar i aksidentit.
“S’jom atje, edhe nuk e di
qysh ka ndodhë e as çka ka ndodhë. E di që një këmbësor me bicikëll e ka pre rrugën. Autobusi ka qenë duke shku në Shqipëri. Aksidentin e ka shkaktu ai që e ka pre rrugën, këmbësori gjithqysh është fajtor.”, tha ai për Sinjalin.
Shoferi i autobusit, 60-vjeçari kosovar E. R., është shoqëruar në Polici, ndërsa sipas pronarit i njëjti është liruar.
“Policia e ka liru shoferin, me koneë fajtor nuk e kishin liru.”, tha ai për Sinjalin,
Ndryshe, i ndjeri N.P., nga fshati Fang i Rubikut, si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa nga autobusi nuk është lënduar asnjë pasagjer.
Sipas njoftimit të policisë, në vendin e ngjarjes ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të Njësisë për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, dhe grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti.