-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Telefonata e djeshme e Blinken, çka i tha Vuçiqit

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka zhvilluar dje ndaras biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Me këtë rast, Blinken ka përsëritur se plani trepikësh i BE-së është rruga përpara.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka theksuar se me kryeministrin Kurti ka biseduar rreth përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës dhe rikthimin në dialog.

“Sot bisedova me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të nxitur de-përshkallëzimin në veri të Kosovës dhe një kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara”, ka bërë të ditur ai.

Teksa, ka mirëpritur lirimin e tre policëve kosovarë të cilët ishin kidnapuar nga Serbia.

“Unë bisedova me presidentin serb Aleksandar Vuçiq sot për të nënvizuar rëndësinë e uljes së menjëhershme të tensioneve. Ne mirëpresim lirimin e sotëm të policëve të Kosovës dhe vazhdojmë të mbështesim fuqishëm planin trepikësh të BE-së si rrugën më të mirë përpara”, ka shkruar Blinken.

Kjo bisedë telefonike të Blinkenit me Kurtin dhe Vuçiqin vjen në mes të përpjekjeve diplomatike nga komuniteti ndërkombëtar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Për bisedën telefonike me Blinken ka njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit. Sipas njoftimit ata kanë diskutuar edhe për gjendjen në veri e procesin e dialogut me Serbinë.

Kurti citohet t’i ketë thënë Blinkenin se takimi trepalësh në Bruksel nuk ka ndodhur për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pë t’u takuar.

“U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç’ rast kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë”, thuhet në njoftim.

“Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte”, thuhet tutje në njoftim.

Të dy thuhet se janë pajtuar që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur, siç thekohet, në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Sipas njoftimit Kurti e ka falënderuar Blinkenin për siç thuhet, mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të SHBA-së për Kosovën, si dhe e ka informuar atë për të arriturat e Kosovës në fushat e ekonomisë, demokracisë e të sundimit të ligjit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img