Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, njofton se ka folur pasur sot një bisede telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Siç e përshkruan Vuçiq bisedën, Sekretari Blinken ka insistuar për qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe e ka përkrahur plotësisht planin evropian për shtensionim.
Sipas një njoftimi, Vuçiq ia ka përmendur arrestimet e të dyshuarve serbë për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it, duke i quajtur ato “arbitrare”. Lideri serb thuhet t’i ketë shprehur Blinkenit kërkesën për lirimin e të gjithë të arrestuarve për sulmet e kryera.
“I thash atij se Serbia po sillet seriozisht dhe përgjegjshëm, por që forcat speciale të policisë së Kosovës çdo ditë, krejtësisht në mënyrë arbitrare, arrestojnë pjesëtarë të popullit serb dhe i kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar”.
“Po ashtu, theksova se dorëheqjet dhe largimi i kryetarëve të rremë nga ndërtesat në katër komunat në veri të Kosovës dhe gjithashtu e njësive speciale të Policisë së Kosovës, janë kyçe për qetësimin e tensioneve”, thuhet në një njoftim të publikuar në Instagram.