2.9 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Plani i Serbisë me katër pika për shtensionimin e situatës në veri dhe tri kërkesat e BE-së për Kurtin e Vuçiqin

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, njëherit kryetar i Partisë Përparimtare Serbe, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Instagram”, ka propozuar një “plan me katër pika”, të cilat, sipas tij, do të kontribuonin në qetësimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

“Duhet të ketë bisedime për arrestimet e paligjshme. Duhet të ketë bisedime për tërheqjen e njësive speciale. Duhet të ketë bisedime për themelimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë) Serbe dhe të flasim për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale”, tha Vuçeviç.

“Për mendimin tim, këto janë katër pikat që duhet të jenë bazamenti i zgjidhjes së kësaj situate, nëse me të vërtetë duam të lëvizim në drejtimin e shtensionimit”, ka thënë ndër të tjera Vuçeviç, ndërsa ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për siç tha “rrezikim të sigurisë së Serbisë”.

Ndryshe, edhe kreu i ekzekutivit kosovar ka paraqitur një plan në përbërje prej gjithsej pesë pikave, të cilën ua ka prezantuar shteteve partnere të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.

Sundimi i ligjit në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, tërheqja e “milicisë fashiste” atje, kryerja e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, KFOR-i e EULEX-i, shpallja e zgjedhje lokale të parakohshme dhe rikthimi në dialog janë pikat e propozuara nga kryeministri Kurti.

Ndërkaq, qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-eskalim, por këto ende nuk janë përmbushur nga asnjëra palë.

Tw njëjtën ditë, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje lidhur me takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Lajçak deklaroi se de-përshkallëzimi i situatës, zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, dhe kthimi në Marrëveshjen e Ohrit, janë tri kërkesat e Bashkimit Evropian të cilat u janë prezantuar Kurtit, dhe Vuçiqit, me 22 qershor në Bruksel.

Pas këtij takimi, emisari i BE-së ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë vizitës në SHBA, ai tha se ka takuar zyrtarë të lartë amerikanë, dhe ua ka prezantuar të gjitha detajet e zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

“E nisa këtë javë me një vizitë në Washington DC, ku u angazhova në diskutime produktive me kolegë dhe zyrtarë mbi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe përpjekjet tona të përbashkëta BE-SHBA. Ishte shumë e rëndësishme të isha në SHBA dhe të krahasoja shënimet me bashkëbiseduesit e mi gjatë kësaj kohe të ndjeshme”.

“U takova me nënsekretaren e shtetit Victoria Nuland dhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet. Kemi ndarë një vlerësim të përbashkët për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e lehtësuar nga BE’, ka thënë Lajçak.

“Për më tepër, pata diskutime domethënëse me disa zyrtarë amerikanë, duke përfshirë Zëvendës Këshilltarin Kryesor të Sigurisë Kombëtare Jon Finer, Drejtoren e Lartë për Evropën Amanda Sloat, Senatorët Chris Van Hollen dhe Chris Murphy dhe Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare Celeste Wallander”.

“Unë isha me fat që u takova edhe me nënsekretaren e Përgjithshme të OKB-së Rosemary DiCarlo gjatë vizitës së saj të shkurtër në DC. Këto diskutime u rrotulluan rreth situatës së sigurisë, hapave të nevojshëm për de-përshkallëzimin dhe rrugës përpara si në Dialog ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, ka thënë Lajçak.

Nga SHBA-ja ka thënë se është kthyer menjëherë në Bruksel për të ndihmuar Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell në mbledhjen e takimeve të menaxhimit të krizës me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti.

Në fund theksoi se synimi i BE-së ishte gjetja e një rrugëdalje nga situata në veri të Kosovës, e cila siç thotë ai vazhdon të jetë shumë e tensionuar

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img