Politikani serb, Aleksandër Jabllanoviq i është përgjigjur akuzave të Kryeministrit Kurti për pretendimet se u ble për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se ka dëgjuar që Jabllanoviq ka marrë një milionë euro dhe dy apartamente në Beograd, për t’u tërhequr nga gara për kryetar të Leposaviqit, të cilat u mbajtën në prill. Jabllanoviq thotë se për këtë deklaratë të Kurtit do të duhej që ai, ose Kryeministri të intervistoheshin në Prokurori.
“Në një sistem serioz demokratik, sot për intervistim në prokurori do të ishte z. Albin Kurti apo unë. Meqë jemi larg nga demokracia, unë po i jap kryeministrit 1 banesë dhe 500 mijë euro, por po e lus të më tregojë se ku është banesa tjetër dhe pjesa tjetër e parave”, ka shkruar Jabllanoviq në Twitter.
Kryeministri Kurti, sot gjatë një adresimi në gjuhen serbe, ka përmendur ato që thotë se i ka dëgjuar për Jabllanoviqin, e të cilat nuk e di nëse janë të vëerteta.
“Mendova të paktën që Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai u largua nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Ndoshta nuk është e vërtetë, por gjithsesi duhet të ketë pasur një presion shumë të madh ose një ofertë shumë luksoze, që e detyroi Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë. Përfaqësuesit e Listës Serbe, e edhe Jabllanoviqi, kanë thënë çdo gjë për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranojë si kryetarë të ardhshëm komunash. Tashmë kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një kryetar i ri”, ka thënë Kurti.