0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

A THUA DERI KUR?

Shkruan: Shqipëron M. Krasniqi -Jurist i Diplomuar

Puna, ndershmëria, e vërteta, drejtësia janë normat më të rëndësishme të çdo shoqërie që nga kohët e lashta. Edhe pse, shpesh, ato janë luftuar nga e keqja, njerëzimi nuk i braktisi kurrë dhe historia tregoi se këto vlera janë nxitësit kryesorë të përparimit shpirtëror, shoqërore ekonomike të njerëzimit. Karakteri njerëzor shpesh sundohet nga frika, përtacia, indiferentizmi, mungesa e kurajos dhe vullnetit të cilat i bëjnë njerëzit të paaftë për të mbrojtur moralin shoqëror, duke e lënë fatin dhe të ardhmen e tyre në duart e njerëzve të pushtuar nga injoranca, megalomania, hajdutëria dhe egoizmi i skajshëm. Nuk po e shkruaj këtë letër jo se dua te filozofoj mbi të mirën dhe të keqen. Nuk kam të tilla iluzione. Po shkruaj thjesht që të mos mendoni se me mashtrim do t’i bëni gjithmonë njerëzit të ulin kokat e tyre të vogla dhe t’i nënshtrohen fatit si skllevër.

Me këtë letër dua t’ju kujtoj se në vend të përuljes, e cila juve ju trimëron, ata mund të revoltohen e të ngrenë krye për të kërkuar lirinë dhe të drejtat e grabitura. Edhe pse juve nuk ju frikëson asgjë, dua t’ju kujtoj se ju President, Kryeminister dhe politikanët e tjerë nuk keni asnjë të drejtë morale e njerëzore të nëpërkëmbni e mashtroni ata që ju besuan e votuan për premtimet që dhatë; ata njerëz që punojnë për rrogat dhe lluksin tuaj të shëmtuar, që durojnë rrugaçëritë tuaja, e që shikojnë se “ruajtësit” e Kushtetutës shkelin mbi të çdo ditë. Sot në Kosovë vuan i ndershmi, përfiton i paafti, servili, i pamoralshmi, hajduti, gënjeshtari, mashtruesi, krimineli. Qeverisja është shndërruar në një mekanizëm për zhvatjen e organizuar të popullit, me qëllim pasururimin tuaj dhe të familjarëve, shokëve e klientëve tuaj. Kështu ishte dhe para se të vije ti në pushtet – kjo farë ka vite që është hedhur. Por, ti ama erdhe në pushtet se premtove shpëtim dhe ndërtim të vendit tonë. Dhe ne të besuam, pa e ditur se shpëtimi dhe ndërtimi jotë do të ishte rilindja e persekutorëve të vjetër dhe e hajdutëve të rinj. Ne as që mund ta imagjinonim se kontributi ynë për të ardhur ju në pushtet ishte, në fakt, kontribut për të shtuar varfërinë dhe krimin, e për ta dergraduar vendin tone. Ju dukeni i pavetëdijshëm apo i patrazuar nga gjendja ku na keni sjellë.

Humbja e çdo sensi të realitetit dhe mbivlerësimi që ju keni për veten tuaj janë shenja të psikozës së madhështisë. Madhështia është ndjenjë që individët shpesh nuk e përballojnë dot — madhështia i marros. E nëse marroset dikush si ju, që ka në dorë fatet e shumë njerëzve, kjo gjë është e rrezikshme, sepse shkatërron jetë. Ndonëse ju jeni truri dhe dora e gjithë mbrapshtësisë ku po jetojmë sot, ju shtireni dhe predikoni si shëronjës apo shenjtor. Kaq idiot e budalla ju duket ky popull? Kaq i sigurtë jeni se një grusht njerëzish, me ju në krye, do ta mbajnë të nënshtruar çdo herë këtë populli? Ju ndoshta besoni tek mfshtësia dhe përulja që ne kemi treguar kaq gjatë për ju dhe ata që na kanë sunduar para jush. Por unë besoj se po vjen dita që populli nuk do ju durojë më, as ju dhe as klasën e degraduar dhe të kalbur politike që ka në krye hajdutët, injorantët, mashtruesit, degraduesit, të padenjët etj, si ju. Unë besoj se ne do të gjejmë kurajon dhe forcën për t’u bërë bashkë kundër jush dhe njerëzve si ju. E mira në fund triumfon gjithmonë mbi të keqen. Maskarenjtë si ju, edhe pse sundojnë për pak kohë, një ditë ndeshin fundin e tyre dhe turpin e përjetshëm.

Këtë fund nuk e pshton as paraja me të cilin ju blini të pamoralshmit dhe as dhuna shtetërore apo e kriminelëve që ju komandoni. Ky popull, edhe pse shpesh ka vonuar, gjithmonë e ka gjetur forcën dhe kurajon për ta larguar të keqen. Ndaj unë shpresoj se, shpejti, njerëzit do t’i lënë mënjanë konstatimet e ankimet e do t’i dalin zot vetes. Ju jeni produkt i shoqërisë sonë, e cila ka humbur moralin e ndërshmërinë, ka humbur vullnetin, ka humbur respektin për dinjitetin njerëzor. Ju jeni produkt i kohës kur paaftësia mbyti aftësinë dhe imoraliteti triumfoi mbi moralin. Por, njerëzit e bashkuar dhe me kurajo për t’u kthyer tek morali do të jenë fundi juaj dhe i kohës suaj. Ne nuk do të vazhdojmë më të zgjedhim mes të këqijash, nën shpresën e të keqes më të vogël. Sepse e dimë se interesi i vogël i çastit, nuk të shpëton nga vdekja, por vetëm të zgjat agoninë. Kur padrejtësia sociale bëhet rregull, rezistenca ndaj saj bëhët domosdoshmëri, përndryshe ne jemi të humbur.

 

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img