Prej vitesh komuniteti serb që jeton në Kosovë kryesisht në veri të Mitrovicës marrin paga nga buxheti i Kosovës , pa dal asnjë ditë në punë.
Zyra e Auditorit ka hedh në pah që 25 punonjës të “Mbrojta Civile” që veprojnë në veri dhe të njëjtit i marrin pagat nga ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësis pa shkuar fare në punë. Pagat i jipen duke u bazuar në marrëveshjen e arritur në vitin 2015-të e që është bërë me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës.
Në bazë të përllogaritjeve këta punonjës deri tash janë paguar në vlerë më shumë se 1 milion euro.
Madje ka dyshime që pjesëtarë nga “Mbrojtja Civile”, janë të dyshuarit kryesor që kanë sulmuar pjesëtarë të KFOR-it dhe mediat.
Ministria në fjalë këto paga i paguan me vendimin nr. 06/39 te datës 22.07.2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduar të Marrëveshjes se Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për integrimin e personelit nga ish e ashtuquajtura “Mbrojta Civile”.
“Përmes këtij vendimi, MTI kishte angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kishin punuar asnjëherë për MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemërimet a tyre. Rrjedhimisht, sipas konfirmimeve nga zyrtarët relevant, për të njëjtit nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Shpenzimi për vitin 2022 për pagat e të punësuarve për këtë kategori ishte 127,298 euro “, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së,kjo dukuri po vazhdon të jetë prezentë ndër vite edhe pse është raportuar në vazhdimësi nga Raportet e auditimit.
“Ministria ende nuk ka arritur të ndërmarrë masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve. Ndikimi Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si pagesa të parregullta dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë.”, thuhet në raport.
Rekomandimi i ZKA-së, është që ministrja duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore./IndeksOnline/