-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Kurti drejt shuarjes së AKP’së, ende s’ka vendosur cilat asete do t’ia kalojë Fondit Sovran

Idenë që e kishte propozuar nga viti 2017, kryeministri Albin Kurti më në fund po e jetëson. Projektligji për Fondin Sovran është miratuar para një jave në Qeveri, e së shpejti pritet t’i shkojë edhe Kuvendit. Këtij fondi pritet t’i barten nga qeveria ndërmarrjet publike bashkë me 24 mijë asete tjera. E për asetet e AKP që do t’i kalojnë këtij fondi, ende s’ka listë përfundimtare. Pas bartjes së këtyre aseteve, plani i Kurtit është që ta shuajë AKP’në dhe ta transferojë si agjenci brenda Qeverisë.


“Projekti më i madh ekonomik që vendi ynë ka ndërmarrë”. Me këto fjalë e ka përshkruar kryeministri Albin Kurti, idenë që e kishte dhënë para gjashtë vjetësh, themelimin e Fondit Sovran.

Për ta jetësuar këtë ide, që ka qenë nga premtimet kryesore me të cilat i kishte fituar zgjedhjet, Kurtit i janë dashur më shumë se dy vjet nga ardhja në krye të ekzekutivit për herë të dytë.


Në mbledhjen e fundit të Qeverisë kur edhe u miratua projektligji për themelimin e këtij fondi, Kurti tha se Fondi Sovran do ta vendosë Kosovën në hartën e tregjeve botërore financiare.

“Ai do të jetë bërthama e sovranitetit tonë ekonomik”, deklaroi Kurti, derisa shtoi se këtij fondi do t’i barten nga Qeveria ndërmarrjet publike, së bashku me 24 mijë asete tjera.

“Kjo do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kësisoj, Qeverinë po e bëjmë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur”, tha atë ditë Kurti. E ndonëse projektligji për themelimin e këtij Fondi është miratuar në Qeveri e së shpejti pritet t’i shkojë Kuvendit, ende dihet se cilat asete të Agjencisë Kosovare të Privatizimit do t’i barten.

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit i kanë thënë Gazetës Express se ende s’ka listë përfundimtare, por se po punojnë me Qeverinë për finalizimin e saj.

“Lista ende nuk ka marr karakter përfundimtar, AKP dhe Qeveria janë duke i koordinuar veprimet në lidhje me finalizimin e listës së aseteve që mendohet të barten në Fondin Sovran. Nuk është bërë një vlerësim i tillë ende”, kanë deklaruar nga AKP. Për këtë thonë që së shpejti do të ketë takime intenzive në mes të Fondit Sovran dhe AKP-së për të finalizuar këtë listë. “Deri më tani, pas një analize të hollësishme e konkrete, AKP ka arritur që t’i evidentojë në një regjistër të përbashkët gjithsej 2448 asete. Prej tyre është vlerësuar se 94 asete me vlerë dhe 1549 toka në zona të ndryshme kadastrale me rreth 48 mijë hektarë tokë mund të konsiderohen se kanë potencial për t’u bartur në Fondin Sovran, si miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, toka bujqësore të të gjitha kategorive etj. Pritet së shpejti të ketë takime intenzive në mes të Fondit Sovran dhe AKP-së për të finalizuar këtë listë”, thuhet në përgjigje.

Pasi këto asete t’i kalojnë Fondit, Agjencia Kosovare e Privatizimit pritet të shuhet dhe të kalojë në agjenci brenda Qeverisë.

“Fondi Sovran do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Si pasojë e kësaj, do të shuajmë Agjencinë Kosovare për Privatizim me anë të transferimit të saj në agjenci brenda Qeverisë”, thuhet në Programin e Qeverisë.

Planin për shuarjen e AKP’së, Kurti e kishte përsëritur edhe në një seancë të Kuvendit, në maj të vitit 2021.

“AKP’ja kemi thënë që do të shuhet dhe AKP’ja do të shuhet. Por, që të shuhet AKP’ja është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet Bordi se kanë vjedh shumë. Kanë vjedh me paga, kanë vjedhë më privatizime. Janë paguar për të vjedhur”, kishte deklaruar atëherë Kurti.

Opozita paralajmëron dërgimin e Ligjit për Fondin Sovran në Kushtetuese

Nga opozita kanë paralajmëruar se nëse Projektligji për Fondin Sovran do të miratohet në Kuvend, ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Këtë paralajmërim e ka bërë deputetja nga radhët e LDK’së, Hykmete Bajrami.

“D.m.th. ky Fondi ka me e “zhvillu vendin” duke anashkalu krejt ligjet në fuqi. Për këtë Fond, bordin dhe organet e tij, që do të emrohen nga Qeveria/LVV-ja, s’ka me pasë Ligj të prokurimit – tenderat direkt me dosta/negociim i drejtëpërdrejtë, s’ka nevojë për kontabilitet, raportim finaciar, ligj të punës hiç se hiç, thjeshtë duhet me qënë i pëlqyshëm për pushtetin dhe mjafton. E ja ku po them publikisht, që gjëra të tilla nuk do të lejohen. Nëse ky Projektligj bëhet Ligj kështu siç është do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese si shumë të tjerë, sepse ‘prima facia’ ky Ligj është antikushtetues”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndryshe, Qeverisë Kurti i kanë përfunduar pesë ligje në Gjykatën Kushtetuese. I fundit është ai për Pagat në Sektorin Publik. Për një prej këtyre ligjeve, Gjykata tashmë ka nxjerrë vendim, duke e shpallur të pavlefshshëm. Bëhet fjalë për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thoshte se i hapë rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë.

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur shqetësim se edhe ligjet tjera do t’i rrëzohen nga Kushtetuesja

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img