Dita e djeshme do të mbetet gjatë në kujtesë për të keq për sa i përket sigurisë së gazetarëve, kameramanëve e stafit tjetër përcjellës mediatik.
Kjo për faktin se dje, derisa ekipe të shumta mediatike po raportonin nga veriu i vendit, saktësisht nga Leposaviqi, turma të maskuara serbësh iu sulën atyre, fillimisht duke i gjuajtur me gurë, e më pastaj duke i sulmuar edhe fizikisht disa prej tyre.
Në mesin e atyre ndaj të cilëve u ushtrua dhunë brutale ishte edhe kameramani i transmetuesit publik, Bardh Bekteshi.
Pamjet e sulmit ndaj tij janë kapur nga kamerat e ekipeve mediatike atje.
Ai u shtri për toke nga një person i maskuar, e më pas pësoi disa goditje me shkelma në trup.
Bekteshi arriti të ngrihej në këmbë e të largohej nga kjo ngjarje e tmerrshme.
E sot, ai ka dalë me një status në Facebook, duke treguar mbi gjendjen e tij shëndetësore, por edhe duke falënderuar gjithsecilin që është interesuar për shëndetin e tij.
“Përmes këtij postimi, ndjej për obligim që të ju njoftoj se unë jam mirë dhe të ju falënderoj përulësisht për interesimin dhe mbështetjen tuaj. Faleminderit edhe RTK-së, drejtuesve të saj dhe gjithë kolegëve për mbështetjen dhe interesimin e treguar për mua, gazetaren Veneren dhe teknikun Mentorin që dje ishim bashkë. Po ashtu mirënjohje dhe falënderime edhe për institucionet e shtetit tonë që edhe kësaj radhe u solidarizuan me ne. Përtej kësaj, mendoj se angazhimi më i madh për sigurinë tonë si ekipe të mediave, është çështje që kërkon trajtim të shpejtë”, theksoi kameramani Bardh Bekteshi.
Megjithatë, ai tha se kjo ngjarje nuk do ta bëjë që të zmbrapset nga profesioni, por thotë se do ta bëjë edhe më të fortë.
“Siç edhe e dini, derisa po kryeja punën time prej kameramanit, dje edhe unë isha viktimë e sulmeve të grupeve kriminale të serbeve në Leposaviq. Kjo nuk është hera e parë që në veri na vërsulen e na kërcënojnë, por kjo assesi nuk do të ndikojë që të na ndalin. E kundërta, këto raste na bëjnë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur për ta çuar përpara këtë mision kaq fisnik. Unë edhe dje, edhe pardje, edhe sot e nesër, edhe gjithmonë, përballë këtyre situatave armën e vetme në dorë e kam kamerën me të cilën punojë për me shumë se dy dekada. Prandaj do të vazhdoj punën dhe angazhimin tim sado e vështirë që mund të jetë! Pas asaj që ndodhi dje, kam marrë shume telefonata e mesazhe interesimi për gjendjen time. Faleminderit të gjithëve”, deklaroi Bardh Bekteshi.
Për këto sulme ndaj mediave pati reagime të shumta. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftoi se janë raportuar shumë raste vetëm ditën e djeshme të dhunës ndaj punonjësve të mediave në Leposaviq. Ndërkaq, në një periudhë kohore prej tri (3) javësh, në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë regjistruar 30 raste të sulmeve kundër gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe mediave që kanë përcjellë zhvillimet nga komunat veriore të vendit.