Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sulmet ndaj gazetarëve në veri të vendit janë të sinkronizuara nga Serbia.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se sulmet ndaj medias shpërfaqin dobësi dhe brishtësi institucionale.
“Të lihen të pambrojtur nga kriminelët, përpos se tolerim i nëpërkëmbjes së parimeve dhe vlerave universale njerëzore, shpërfaq njëkohësisht dobësi dhe brishtësi institucionale”, ka thënë Tahiri.
Reagimi i plotë:
Sulmi ndaj gazetarëve në veri të vendit, është pjesë e një kampanje të sinkronizuar nga Serbia dhe bandat e saj kriminale në veri të Republikës së Kosovës.
Media e lirë, efikase dhe e pavarur, është shenja dhe shtylla mbrojtëse e shtetësisë dhe shtetformimit. Të lihen të pambrojtur nga kriminelët, përpos se tolerim i nëpërkëmbjes së parimeve dhe vlerave universale njerëzore, shpërfaq njëkohësisht dobësi dhe brishtësi institucionale. Kur shtrinë sovranitetin dhe sundimin e ligjit, nuk guxon t’i lësh të pambrojtura shtyllat e shtetformimit.
Mediat e lira dhe gazetaria profesionale janë më meritorët që Kosova nuk do t’i jap asnjë shans rrëshqitjes në kaos, anarki, dhe autoritarizëm.