6.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Kurti: S’mund të kompensoj Serbinë për humbjet e shkaktuara si shtet për shkak të regjimit të Millosheviqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ajo çfarë i duhet rajonit është që Serbia të deklarojë pavarësinë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, dhe të heqë dorë nga politikat e saj, që ai i vlerëson hegjemoniste.

Komentet, Kurti i bëri gjatë paraqitjes në një panel në kuadër të Forumit të Prespës që po zhvillohet në Strugë të Maqedonisë së Veriut, më 16 qershor.

“Jemi në këtë moment problematik, por me marrëveshjen bazë që u dakorduam, që bazohet në njohjen de facto të njëra tjetrës, besoj që mund të normalizojmë marrëdhëniet dhe të qetësojmë situatën në terren”, tha ai.

Kryeministri përsëriti që është i gatshëm të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, kur të përgatitet terreni për të bërë një gjë të tillë, se përndyshe nuk “mund t’ia dorëzojë Republikën demokratike një policie fashiste”.

“Unë nuk mund të kompensoj Beogradin zyrtar për humbjet e shkaktuara ndaj Serbisë si shtet për shkak të regjimit të Millosheviqit. Kjo është një çështje krejtësisht tjetër dhe ne duhet të ndajmë kërkesat politike nga krimi i organizuar dhe bandat kriminale”, tha ai.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar Prishtinën zyrtare për nxitje të tensioneve.

I pyetur në Forum se si i komenton kritikat në drejtim të tij, që i kanë vlerësuar veprimet e tij si shumë të ashpra, dhe vetë Kurtin si personi që po përshkallëzon situatën, kryeministri u përgjigj duke thënë se ai “beson në bashkëpunimin trans-atlantik”.

“Ne dëshirojmë të kontribuojmë, e jo vetëm të përfitojmë; dhe dëshirojmë të mbrojmë. Unë besoj në bashkëpunimin trans-atlantik. ”, tha kryeministri.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri:

  • Shtensionimin e situatës atje
  • Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
  • Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti, në anën tjetër, e ka prezantuar një plan pesëpikësh për ulje të tensioneve, që kanë të bëjnë kryesisht me luftimin e bandave kriminale në atë pjesë të vendit.

“Policia jonë është më profesionalja në rajon që i shërben shtetit më demokratik në rajon. Ata jënë të orientuar nga Perëndimi dhe janë të trajnuar nga perëndimorët. Prandaj jemi në këtë luftë të rëndësishme”, tha mes tjerash ai.

Ndryshe, një ditë më herët, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img