Ministrja e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka ka reaguar në lidhje me situatën në Kosovë, ku ditën e djeshme janë rrëmbyer nga forcat serbe 3 policë të Kosovës.
Në fjalën që ka mbajt në Kuvend, ajo bëri thirrje që të ruhet qe tërësia ndërsa shtoi se në lidhje me situatën ka komunikuar me komandantin e KFOR, dhe po presin përfundimet e hetimeve.
Më tej ajo theksoi nëse situata përshkallëzohet, do të rëndojë mbi Kosovën.
Po ashtu, ajo i ka bërë thirrje Serbisë të lirojë tre efektivët e policisë së Kosovës, ndërkaq iu përgjigj kritikave të opozitës duke thënë se çështja në Veri është prioritet për qeverinë.
“Është e domosdoshme që qeveria e Serbisë të lirojë të tre policët. Lirimi i tyre do ishte në kuadër të zbutjes së tensioneve. Ndërkohë i lëmë kohë KFOR-t të zbardhë atë që ka ndodhur. I kemi ndjekur me shqetësim deklaratat e qeverisë së Kosovës për ndalimin e automjeteve me targa serbe. Lëvizja e Lirë është angazhim i rëndësishëm që vendet kanë marrë në kuadër të krijimit të një tregu të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Qeveria ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për masa tregtare por për masa sigurie. Mbetet të shohim si do zbatohet kjo por shpresojmë që të mos ndodhë sepse do të dobësonte pozitën e Kosovës në sytë e aleatëve”, tha Xhaçka.
“Jemi duke i ndjekur nga afër me shumë shqetësim ngjarjet në veri të Kosovës. Jemi angazhuar fort me aleatët e partnerët që situata të mos përkeqësohet më tej. Të shqetësuar pasi aleatët e partnerët e gjejnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë tek Kosova. Kjo dobëson në mënyrë shqetësuese pozitat e Kosovës në sytë e SHBA dhe BE. Tre policët e kapur nga ushtria serbe, padyshim e ndërlikon më tej situatën. Kam komunikuar me komandantin e KFOR, jemi në pritje të përfundimit të hetimeve. Në këtë pikë është e domosdoshme që të ruhet qetësia”, shtoi kryediplomatja shqiptare.
“Deklaratat e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa serbe. Lëvizja e lirë, pjesë shumë e rëndësishme e angazhimeve që kanë të gjithë vendet tona. Qeveria e Kosovës ka sqaruar që nuk bëhet fjalë për masa tregtare ekonomike, por për masa sigurie. Mbetet të shohim se çfarë do të thotë kjo në realitet. Ne shpresojmë që kjo të mos ndodhë, pasi vetëm sa do të përshkallëzonte më shumë situatën. Do të dëmtonte mbi të gjitha vetë Kosovën dhe rajonin ekonomikisht, por edhe në sytë e aleatëve”, tha ajo.
“Ministria jonë e ka ndjekur më shumë vëmendje situatën në veri të Kosovës ku ka patur masa të panevojshme që kanë rritur tensionet. Kryeministri ka përcjellë një draft për Asociacionin. N e konsiderojmë hapin sit ë rëndësishëm për të ulur tensionet dhe rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në rrjedhën e dialogut. Pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive kam dëgjuar shumë teori për mungesën e mbështetjes së Shqipërisë ndaj Kosovës. Ata që bërtasin më shumë se iu digjet barku për Kosovën janë ata që i kanë bërë më shumë dëm Kosovës. Të gjithë e dinë se kush furnizonte me naftë Millosheviçin. Po kjo nuk do thotë se duhet të mbështesim qeverinë e Kosovës edhe kur shohim se është gabim në ato që bën. Kjo nuk do ishte gjë e mirë dhe le të bërtasin sa të duan analistët. Është e domosdoshme që Kosova të dëgjojë aleatët tanë për shtensionimin e situatës. Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian është rruga e normalizimit të marrëdhënieve”.