-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Ambasadorja amerikane në NATO: Kosova t’i tërheqë policët nga objektet komunale në veri

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Julianne Smith, ka thënë se kërkesë e SHBA-së është që Kosova t’i tërheqë njësitet policore nga rrethojat e objekteve komunale në komunat në veri të vendit.

Në një briefing me gazetarët të merkurën, Smith ka përshëndetur vendimin e Serbisë që të ulet niveli i alarmit ushtarak në kufi me Kosovën.

“I dërguari i Departamentit Amerikan, Gabriel Escobar vizitoi rajonin për të inkurajuar kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurohet se kryetarët e zgjedhur t’i ushtrojnë detyrat e tyre tranzicionale në lokacione alternative. Po ashtu i kemi inkurajuar që t’i tërheqin forcat policore përreth objekteve komunale. Ne po ashtu kemi shënuar dhe mirëpritur vendimin e Serbisë për largimin e forcave ushtarake nga niveli i lartë i rrezikut. Kjo ishte me rëndësi që të fillojë tërheqja e trupave të tyre dhe pajisjeve nga kufiri me Kosovën”, ka thënë ajo.

Smith ka thënë se prioriteti për SHBA-në tash është shtensionimi në veri.

“Aleatët e NATO-s kanë vëzhguar ngjarjet e fundit në Kosovë me interesim të madh dhe kemi disa shqetësime sigurisht. Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, aleatët, kanë kërkuar veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës. Ky është prioriteti numër një. SHBA, sikurse të tjerët e dënuan dhunën kundër trupave të NATO-së, veçanërisht trupave nga Hungaria dhe Italia dhe besojmë se ata që janë përgjegjës për dhunën duhet të japin llogari, përmes një procesi të duhur dhe transparent”, ka deklaruar ajo.

Smith ka thënë se dialogu është mundësia e vetme për të ecur përpara.

“Çështja kryesore dhe ky është qëndrim i përgjithshëm i aleatëve që dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli është mundësia e vetme për të ecur përpara. NATO-ja është fokusuar në rajon dhe do të vazhdojmë të mbesim. Por NATO-ja dhe BE-ja do ta shtyjnë dialogun si mënyra më e mirë për të ecur përpara”, ka deklaruar më tej ajo.

Që nga 26 maji, serbët në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan janë duke protestuar kundër vendosjes së kryetarëve të rinj të komunave në objektet komunale në veri. Nga përplasjet e 29 majit në Zveçan pësuan 30 ushtarë të KFOR-it.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img