Mbledhja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë u anulua dje, ku kryeministri Edi Rama tha se takimi nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.
Rama tha se s’ka pasur dakordim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për një ndryshim të formatit, pasi sipas tij, kërkesa e Kurtit ishte që mbledhja të mbahej normalisht, por siç tha ai, “kjo nuk është e mundur”.
“Nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt po ndodhë në realitetin e Kosovës sot, mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, shpresojmë se mund të takohemi për të ballafaquar opinionet”, tha Rama.
Tutje, ai tha se i ka propozuar Kurtit që të mbahet një takim për sot me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, por që s’e ka pasur dakordimin e homologut të tij kosovar.
E, për Qeverinë e Kosovës, anulimi i mbledhjes së përbashkët u bë njëanshëm nga Qeveria e Shqipërisë dhe se sipas tyre, kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar 13 marrëveshje të reja.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj”, tha Kryeziu për Klankosova.tv.
Më tej, sipas Qeverisë së Kosovës, takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër, pasi vendet janë afër.
“Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme”, tha Kryeziu.