Kosova ka mjaft kohë që të konsultohet me faktorin ndërkombëtarë dhe t`i bindë ata se deputetët serbë nuk do të lejojnë krijimin e Ushtrisë sipas ndryshimeve kushtetuese. Kështu ka deklaruar deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi, njëherësh anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe FSK.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Ibishi ka thënë se Kosova nuk duhet të ngutet që ta krijojë Ushtrinë pa negociuar me ndërkombëtarët, sepse mund të bëhen gabime të pa rikuperueshme.
“Në këtë situatë është e rëndësishme që të gjithë faktorët institucionalë, presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, ministri i Jashtëm, ministri i FSK-së, me qenë të vendosur që të tregojnë se nuk po ndërmerret diçka jo-ligjore. Kur janë deklarimet shumë të qarta, ne duhet të bindemi me ta dhe jo të ngutemi dhe të bëjmë edhe një hap më tej. Një muaj ka Qeveria që ta procedojë ligjin, ne i kemi dy muaj tjerë për punën parlamentare, pra kemi kohë të bëjmë shumëçka në aspektin diplomatik”, ka thënë ai.
Më tej, Ibishi ka potencuar se çështja e Ushtrisë ka marrë bujë dhe se kjo ka mundur të ndodhë pa u bërë kaq zhurmë për të. Sipas deputetit të LDK-së, për FSK-në është dashur të ketë konsultime të brendshme, teksa ka theksuar se ka pasur disa herë tentime për të bashkëpunuar me serbët për ndryshimet kushtetuese, por kjo pyetje ka hasur pa përgjigje.
“Për mua është dashur të iniciohet por jo me kaq zhurmë. Të shkohet duke u konsultuar brendshëm dhe jo të bëhet në këtë formë. Kjo mori përmasa të reagimit, ashtu si edhe po ndodhë. Ka mundur të shkohet shumë më natyrshëm, më qetë dhe krejt të kryhet e të mos bëhet e madhe. Realisht nëse Bashkësia Ndërkombëtare mund t`i bind që mund të bëhen ndryshimet kushtetuese atëherë kish me qenë më e mira edhe për neve. Por kjo nuk po ndodhë, kemi kërkuar nga përfaqësuesi serb që duhet të konsultohemi por asnjëherë nuk ka ndodhë një përgjigje. Ata kanë nguruar”, është shprehur ai.
Për Ibishin, institucionet kosovare kanë mjaft kohë të disponueshme për të menduar dhe për të vepruar. Sipas tij, nuk duhet që me çdo kusht të veprohet shpejtë për krijimin e Ushtrisë, teksa ka theksuar se duhet konsultuar me NATO-n, SHBA-në dhe shtetet e Bashkimit Evropian, sidomos ato që kanë kontribuar për Kosovën.