Presidentja Vjosa Osmani sot ka takuar ambasadorin gjerman Joern Rohde.
Osmani shprehu mirënjohjen e saj që ushtarët e KFOR’it u ballafaquan me protestuesit në veri.
Njoftimi i plotë:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe hapat që po ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për shërbimin dhe profesionalizmin e demonstruar nga ushtarët e KFOR-it në ballafaqim me grupet kriminale të dhunshme në veri të vendit. Në këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se ballafaqimi me drejtësinë për grupet kriminale të mbështetura nga Serbia, që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët, është i domosdoshëm si garanci për të parandaluar përsëritjen e veprimeve të tilla të dhunshme.
Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin me Gjermaninë dhe konfirmoi partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për një koordinim të ngushtë në të ardhmen, me qëllim e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.