-1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Lulzim Hetemi e vazhdon “orarin” e pazakontë të punës, Qeveria e inkurajon me telefon

Sot bëhen dy javë prej kur kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka hyrë në objektin e komunës së Leposaviqit dhe nuk ka dalë më prej aty.

Ndërkohë që debatet për “orarin e pazakontë” të punës së Hetemit po vazhdojnë, qeveritarët kanë provuar t’i shkojë në zyrë. Të premten këtë s’ka mundur ta bëjë Ministri Liburn Aliu.

Ndërsa Kryeministri Kurti dje i njoftoi aktivstët e VV’së se ka folur në telefon me të duke e përgëzuar për qëndresën shembullore. Kurti  dha edhe detaje tjera të këtij komunikimi.

Të hënën e parë pas betimit (29 maj), Lulzim Hetemi, në orën 06:00 të mëngjesit ka hyrë në objektin e komunës së Leposaviqit, ku parashihet ta kryejë detyrën e tij si kryetar. Mirëpo që nga ajo ditë, Hetemi nuk e ka lëshuar zyrën e kryetarit.

Objekti është i rrethuar nga forcat amerikane të KFOR’it ndërsa situata tani është shtensionuar.

Por, për sigurinë e Hetemit, Kurti tha se do të kujdesen edhe pjesëtarët e Njësisë Special të Kosovës.

“Për shkak të grupeve kriminale, ekstremistëve të dhunshëm ne jemi të detyruar që ta kemi aty Njësinë Speciale e cila e mbron kryetarin tonë, kryetarin e Leposaviqit i cili do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim” tha dje Kurti.

Ai po ashtu njoftoi se dy herë ka folur me Hetemin në telefon.

Në mbledhjen e 51-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, derisa foli për situatën në Veri, tha se e ka thirrë në telefon Hetemin dhe se kanë pasë një bisedë të këndshme.

Sipas Kurtit, ai dhe Hetemi ndanin të njëjtin shqetësim, se mos njëri prej tyre po lëshonte pe.

“E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Të them të drejtën kur e thirra kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyrë se u bënë shumë javë. Unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë , prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme”, deklaroi Kurti.

“Disa po e marrin me të mirë, disa jo”

Përveç kësaj, Kurti edhe një herë kishte njoftuar që ka biseduar me Hetemin në telefon, duke thënë se ai merr kërkesa prej shumë anëve që ta lëshojë zyrën.

“Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, për çdo ditë i merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve që ky të dalë prej zyres së tij. Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo më të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës”, ka shkruar Kurti më 4 qershor.

Kësaj here, Kurti është kujdesur që ta lëvdonte Hetemin, duke e falënderuar “për qëndresën e tij shembullore”.

“Lulzim Hetemi është vëllau i dëshmores Fatime Hetemi (që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998).E falënderoj Kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”, ka shtuar ai.

“Si në hotel”

60 orë pas ngujimit në objektin e komunës, Hetemi kishte folur për gjendjen e tij. Ai qëndrimin aty e kishte krahasuar me hotel.

“Kurr më mirë s’kam qenë. Mirë jam, edhe me shëndet jam mirë”, ka treguar Hetemi për Albanian Post.

“Unë sonte muj me dalë, nesër muj me dalë, nuk e kam problem. Ta shohim situatën se si po zhvillohet jashtë e në Prishtinë e pastaj veprojmë”, ka treguar kryetari Hetemi.

“Po hamë bukë si në hotel. Policia na e sjellë, kur ndërrohen na e bjen ushqimin”.

“Edhe me u la mirë, edhe banjo ka, të gjitha janë”, kishte thënë ai më 31 maj.

Njëjtë si Hetemi, Klan Kosova ka raportuar se edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq është duke qëndruar në objekt të komunës në Lagje të Boshnjakëve. Ndërsa, në anën tjetër, dy kryetarët nga radhët e PDK-së, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan janë duke ushtruar detyrën e tyre nga zyret komunale në fshatëra.

Hetemi u bë viral ditë më parë kur në një fotografi të faqes “Mitrovica Sot”, ku tregohet për një bukuroshe nga Drenasi, Mejreme Hajdaraj që ka fituar në Egjipt kurorën “Miss Elite World 2023” shkroi  “Rrespekt pèr Bukuroshen”.

Ndryshe, të premten, një përpjekje për ta vizituar e bëri Ministri i Mjedisit Liburn Aliu por nuk arriti. Në një postim në rrjetet sociale ai tha se u udhëzua nga Policia e Kosovës që të mos shkojë në Komunën e Leposaviqit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img